Gjermania harron si të mbrojë, pëson gol për ndeshjen e dhjetë radhazi në Botëror me Neuer-in në portë

Gjermania vazhdon të vuajë problemet në mbrojtje në Kupën e Botës. Goli i shënuar nga Julio Enciso në sfidën ndaj Paraguai shënoi një rekord negativ për "Pancerat", të cilët kanë pësuar gol në dhjetë ndeshje radhazi në një Botëror.

Momenti erdhi në minutën e 42-të, kur një krosim nga e djathta i Matías Galarza gjeti krejtësisht të lirë Encison në zonë. Sulmuesi i RC Strasbourg Alsace goditi saktë me kokë dhe mposhti portierin Manuel Neuer.

Ky ishte goli i dhjetë radhazi që Gjermania pëson në një ndeshje të Kupës së Botës, duke vendosur një rekord negativ në historinë e kombëtares gjermane.

Ndeshja e fundit në të cilën Gjermania e mbajti portën të paprekur daton në finalen fituese të Botërorit 2014 ndaj Argjentinës. Që nga ai triumf, Neuer ka qenë gjithmonë portieri titullar në Kupën e Botës dhe në secilën nga dhjetë ndeshjet pasuese ka nxjerrë të paktën një herë topin nga rrjeta.

Seria negative nuk ka ardhur vetëm ndaj skuadrave elitare. Në Botërorin e vitit 2022, edhe Kosta Rika arriti t'i shënonte dy gola Gjermanisë, ndërsa në këtë edicion gol kanë realizuar edhe Curaçao, Ekuadori dhe Paraguai.

Seria e ndeshjeve me gola të pësuar nisi në Botërorin e vitit 2018 në Rusi, kur Meksika mposhti Gjermaninë në ndeshjen e parë të fazës së grupeve falë golit të Hirving Lozano. Që prej asaj sfide, mbrojtja gjermane nuk ka arritur më të përfundojë asnjë ndeshje të Kupës së Botës pa pësuar gol.