Klasi i Ancelotti-t, si Brazili përmbysi Japoninë me një leksion taktik

Trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, tregoi edhe një herë pse konsiderohet një nga teknikët më të mëdhenj në historinë e futbollit. Ndërhyrja e tij në pushimin mes pjesëve rezultoi vendimtare në fitoren me përmbysje ndaj Japonisë, pasi Brazili kaloi nga një paraqitje zhgënjyese në pjesën e parë te një dominim i plotë në 45 minutat e dyta.

Në fund të pjesës së parë, Brazili ishte në disavantazh 1-0 dhe kishte vështirësi të mëdha për të depërtuar mbrojtjen japoneze. Fillimisht, "Seleçao" u përpoq të sulmonte në qendër, por organizimi i shkëlqyer i kundërshtarit bëri që ky plan të mos funksiononte.

Në dhomat e zhveshjes, Ançeloti ndryshoi rrënjësisht qasjen taktike. Ai kërkoi më shumë lojë në krahë, më shumë krosime drejt zonës dhe futje të mesfushorëve në hapësirat e rrezikshme. Ndryshimi dha efekt të menjëhershëm, pasi Brazili mori kontrollin e lojës dhe nisi të krijonte një rast pas tjetrit.

Barazimi erdhi pikërisht sipas këtij skenari, me Casemiron që realizoi me kokë, pasi pak minuta më herët i ishte mohuar një gol nga një largim spektakolar i topit mbi vijën fatale nga mbrojtësit japonezë.

Përveç ndryshimeve taktike, Ançeloti goditi në shenjë edhe me zëvendësimet. Futja në lojë e Gabriel Martinellit rezultoi vendimtare, me sulmuesin e Arsenalit që dha kontributin e tij në kualifikimin e Brazilit për në fazën e 1/8-ës.

 

"Para së gjithash donim t'i jepnim një shtysë skuadrës, sepse ai është një lojtar me intensitet të madh dhe kur hyn në fushë jep gjithmonë maksimumin", deklaroi Ançeloti për Martinellin.

Trajneri italian zbuloi edhe mesazhin që u dha futbollistëve gjatë pushimit. "U thashë të mos humbnin durimin, sepse do të shënonim. Ishte e sigurt se herët a vonë do të gjenim golin. Më e rëndësishmja ishte të ruanim ekuilibrin dhe të mos e ndërlikonim ndeshjen. Skuadra e bëri këtë shumë mirë", tha ai.

Ançeloti vlerësoi edhe Japoninë, duke e cilësuar si një skuadër shumë të organizuar, të rrezikshme dhe me futbollistë të fortë në duele. Ai pranoi se plani fillestar nuk funksionoi për shkak të cilësisë së mbrojtjes japoneze, por theksoi se ndryshimi i strategjisë me më shumë krosime dhe prani në zonën kundërshtare bëri diferencën.

"Në futboll duhet të vuash, kjo është pjesë e lojës. Megjithatë, kisha besim te skuadra jonë. Jemi në rrugën e duhur, por duhet të përmirësohemi, të pushojmë dhe më pas do të shohim se kush do të jetë kundërshtari ynë i ardhshëm", përfundoi trajneri i Brazilit.