Nga skandali i emailit të Ramës te akuzat për korrupsion/ Eurodeputetët sjellin mesazhet e Brukselit në Tiranë: Rama i frikësuar

Vizita e eurodeputetëve të grupit Gjelbër/EFA dhe disa anëtarëve të Parlamentit Europian në Tiranë u shoqërua me deklarata të forta gjatë protestës së 30-të para Kryeministrisë.

Në fokus të mesazheve të tyre ishin akuzat për korrupsion, shqetësimet për gjendjen e demokracisë, presioni ndaj protestuesve, si dhe kritikat ndaj zhvillimeve urbanistike në zonat e mbrojtura.

Eurodeputetët deklaruan se qytetarët shqiptarë po mbrojnë vlera europiane si transparenca, drejtësia dhe mbrojtja e natyrës, ndërsa ngritën shqetësime se qeveria dhe instuitucionet nuk po veprojnë në të njëjtin nivel.

Në fjalën e saj në Tiranë, eurodeputetja gjermane, Jutta Paulus deklaroi se kishte marrë një email nga kryeministri Edi Rama lidhur me votimin e një amendamenti në Parlamentin Europian. Sipas saj, pavarësisht kësaj ndërhyrjeje, amendamenti u votua pro dhe ajo e paraqiti rastin si shembull të presionit politik ndaj vendimmarrjes së BE-së.

Ndërkohë disa prej tyre i bënë thirrje drejtpërdrejt institucioneve të Bashkimit Europian që të rrisin presionin ndaj qeverisë shqiptare, ndërsa theksuan se ndonëse populli shqiptar është gati BE, qeveria dhe Edi Rama nuk duket se janë gati përderisa nuk dëgjojnë popullin e tyre.

Në qendër të kritikave u vu qeveria e Edi Ramës, ndërsa protestuesit u përshëndetën për, siç u shprehën eurodeputetët, “qëndresën qytetare”.

DEKLARATAT E  EURODEPUTETËVE:

Tineke Strik

“Nëse shqiptarët nuk e pranojnë këtë, kjo është një shenjë shprese. Dhe një provë se Shqipëria po i përket Bashkimit Europian.

Dhe në fakt është e qartë që ju jeni ata që po mbroni vlerat dhe të drejtat e Bashkimit Europian, ndërsa qeveria nuk po e bën.

Ju gjithashtu nuk e pranoni që këtu nuk ka demokraci. Ju luftoni për të drejtat dhe liritë tuaja dhe nuk e pranoni që të jeni të intimiduar, të përndjekur apo subjekte të fushatave kundër jush.

Dhe unë po e çoj këtë mesazh tek Bashkimi Europian, në Bruksel: njerëzit janë gati të bëhen anëtarë të Bashkimit Europian, por qeveria nuk është ende gati për këtë.

Kështu që unë ju inkurajoj që të vazhdoni mobilizimin, të vazhdoni protestat.

Ne do të luftojmë në Bruksel për të njëjtat vlera, për të njëjtën natyrë dhe për demokracinë.

Pjesa më e madhe e Parlamentit Europian u shpreh se duhet të ketë një moratorium për të ndaluar ndërtimin dhe ligji duhet apeluar.

Dhe le të vazhdojmë të luftojmë për këtë. Ne do të kthehemi në Bruksel me këtë mesazh dhe do t’i themi Komisionit Europian që ju duhet më në fund të veproni dhe t’ia bëni të qartë Ramës që të dëgjojë njerëzit e tij dhe jo investitorët e pasur të huaj.

Faleminderit shumë. Ne do të jemi atje për ju.”

Jutta Paulus

“Natyra shqiptare është shumë e bukur dhe e mrekullueshme. Është frymëzuese t’ju shoh që luftoni për natyrën, për flamingot dhe kundër oligarkëve që duan ta shkatërrojnë atë.

Ne jemi këtu për t’ju mbështetur në këtë betejë dhe do ta përcjellim zërin tuaj në Bruksel.

Do të themi se Shqipëria nuk është në shitje dhe se natyra nuk është në shitje.

Nëse Shqipëria do të bëhet pjesë e BE-së, qeveria duhet të ndryshojë ligjet që janë bërë për interesat e tyre dhe jo për qytetarët.

Ne votuam pro amendamentit për moratoriumin sepse ligji evropian nuk është në shitje.”

Vula Tsetsi

“Sot shënoni 30 ditë protestë dhe falë jush ajo që po ndodh nuk njihet vetëm në Bashkimin Europian, por edhe më gjerë në gjithë botën. Ju përgëzoj! Gjithçka që kërkoni është rezultat i qëndresës suaj, sepse nuk po mbroni vetëm natyrën tuaj.

Shqipëria nuk është në shitje. Ju po mbroni të drejtat tuaja, dinjitetin tuaj, shtetin tuaj dhe perspektivën evropiane të vendit. Nuk mund të ketë zgjerim të Bashkimit Europian me Shqipërinë nëse Edi Rama e shet vendin tek të huajt dhe nuk dëgjon zërin tuaj. Mbi 90 për qind e shqiptarëve besojnë te projekti evropian dhe këtë besim ne duam ta respektojmë.

Duam që Komisioni Evropian të ushtrojë presion ndaj Ramës që të tërhiqet nga këto politika. Duhet t’u bëjmë thirrje edhe miqve tanë socialdemokratë, pasi Rama i përket kësaj familjeje politike. Ata duhet të zgjohen dhe t’ju mbështesin.

Mos u dorëzoni. Çdo ditë është një ditë fitoreje, jo vetëm për demokracinë, por edhe për ju dhe për ne, sepse Shqipëria duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.”

Cristina Guarda

“Komisioni Europian nuk mund të jetë i verbër dhe duhet të shikojë të vërtetën dhe të kërkojë që Edi Rama dhe çdo politikan tjetër të dëgjojë dhe t’ju respektojë.

Unë jam italiane dhe dua t’ju falënderoj juve dhe diasporën shqiptare në Itali, po luftojnë për ju dhe për ne.

Kryeministri juaj (Edi Rama) që iu ul në gjunjë kryeministres time (Giorgia Melonit). Kryeministri i një vendi nuk i ulët në gjunjë askujt përveç popullit të tij.

Në Bashkimin Europian nuk futesh duke u ulur në gjunjë, nuk hyet në BE si shërbëtorët e dikujt, në Europë hyhet më kokën lart, duke e merituar dhe duke ditur që do luftojnë për mirëqenien tonë.”

Nicolae Ștefănuță

“Unë jam zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, por jam edhe djali i një burri që rrit dele në Rumani. Ndihem këtu si në shtëpi. Shqipëria është motra jonë. Unë isha 9 vjeç kur pashë Çausheskun të rrëzohej, dhe ju pritët 30 vite derisa Enver Hoxha u rrëzua.

Por tani nuk keni pse të prisni sërish aq gjatë. Mjaft me këtë korrupsion, mjaft me këtë tranzicion, mjaft me këtë diktaturë.

Edhe në Rumani pati protesta për mjedisin që u quajtën të parëndësishme, por njerëzit reaguan, të gjithë erdhën dhe diaspora erdhi.

Kur njerëzit janë të zemëruar, politikanët janë të vdekur. Pse Evropa është këtu dhe Edi Rama nuk është këtu? Ndoshta sepse është i frikësuar.

Dhe nëse është kështu, ju duhet të keni kurajë ta rrisni frikën e tij. Rruga mund të jetë e gjatë, por ju jeni në anën e duhur të historisë.”

Anna Strolenberg

“Ajo për të cilën po protestoni janë vlerat evropiane: mbrojtja e natyrës, lufta ndaj korrupsionit, transparenca, demokracia.

Jam këtu për t’ju mbështetur.

Ka shumë njerëz nga shumë sfonde, duam që Shqipëria të shkojë në BE, por nëse doni të shkoni, Edi Rama duhet të dëgjojë!

Edi Rama, a po na dëgjon? Ai duhet të dëgjojë. Kërkesat janë të qarta: mos u merr me qytetarët, mos bëj korrupsion, lufto korrupsionin dhe mbro natyrën.

Shqiptarë, ne ju shikojmë të gjithë ju, dhe uroj që ju të shihni mbështetjen tonë për ju gjithashtu.”