Ford rikthen inxhinierët e larguar, pasi Inteligjenca Artificiale dështoi në kontrollin e cilësisë
Kompania amerikane e automobilëve Ford ka pranuar se është detyruar të rikthejë në punë qindra inxhinierë me përvojë, pasi sistemet e Inteligjencës Artificiale nuk arritën të garantonin cilësinë e produkteve në nivelin e pritshëm.
Në përpjekje për të përfituar nga avantazhet e Inteligjencës Artificiale, e cila premton ulje kostosh dhe rritje të produktivitetit, Ford e kishte integruar këtë teknologji në disa procese të prodhimit, përfshirë edhe kontrollet e cilësisë.
Megjithatë, sipas drejtuesve të kompanisë, sistemet e automatizuara nuk arritën të zëvendësonin përvojën dhe aftësitë e specialistëve njerëzorë. Për këtë arsye, Ford ka rikthyer në punë më shumë se 300 inxhinierë dhe inspektorë cilësie me eksperiencë shumëvjeçare, të cilët do të ndihmojnë jo vetëm në kontrollin e produkteve, por edhe në trajnimin e sistemeve të Inteligjencës Artificiale.
"Nga gabimi ynë menduam se mjaftonte të implementonim Inteligjencën Artificiale dhe ta ushqenim me kërkesat e projektimit për të prodhuar automatikisht një produkt me cilësi të lartë. Por kjo nuk ndodhi," deklaroi zëvendëspresidenti për inxhinierinë e pajisjeve të automjeteve, Charles Poon.
Sipas tij, kompania nuk i kushtoi vëmendjen e duhur ekspertizës së inxhinierëve më me përvojë, të cilët kishin kaluar shumë cikle zhvillimi produktesh. Shumë prej tyre u larguan nga kompania përpara se njohuritë e tyre të përdoreshin për të trajnuar sistemet e Inteligjencës Artificiale.
"Inteligjenca Artificiale është një mjet fantastik, por është aq e mirë sa edhe informacioni me të cilin trajnohet," u shpreh Poon.
Ai shtoi se rikthimi i specialistëve ishte i domosdoshëm për të përmirësuar algoritmet e automatizimit dhe të mësimit makinerik, si dhe për të mentoruar brezin e ri të inxhinierëve.
Edhe drejtori ekzekutiv i Ford, Jim Farley, ka qenë një mbështetës i përdorimit të Inteligjencës Artificiale. Vitin e kaluar ai deklaroi se kjo teknologji do të ndryshojë rrënjësisht tregun e punës, duke paralajmëruar se shumë profesione të zyrave mund të zëvendësohen nga AI.
Ndërkohë, drejtori operativ Kumar Galhotra kishte njoftuar se kompania kishte vendosur rreth 900 kamera të pajisura me Inteligjencë Artificiale në fabrikat e saj për të identifikuar problemet e cilësisë dhe për të shmangur ndërprerjet në zinxhirin e furnizimit.
Pavarësisht vështirësive, Ford deklaron se masat e marra kanë dhënë rezultat. Kompania është rikthyer në vendin e parë në studimin JD Power Initial Quality Study, një nga vlerësimet më prestigjioze në industrinë automobilistike për cilësinë fillestare të automjeteve, pozicion që nuk e kishte mbajtur që nga viti 2010.
Në njoftimin zyrtar, Ford thekson se rikthimi në krye të renditjes u bë i mundur falë një riorganizimi të thellë të stafit drejtues dhe rikthimit të qindra inxhinierëve veteranë, të cilët, sipas kompanisë, "mbartin mençurinë e fituar gjatë dekadave të projektimit dhe zhvillimit të automjeteve."