RD e Kongos ndalon tubimet masive në kryeqytet dhe 3 provinca për të frenuar epideminë e Ebolës

 Republika Demokratike e Kongos ka ndaluar tubimet masive në kryeqytetin Kinshasa dhe në tri provinca të tjera, në përpjekje për të frenuar përhapjen e virusit Ebola, njoftoi Ministria e Brendshme në një direktivë drejtuar guvernatorëve provincialë vonë të dielën, transmeton Anadolu.

Takimet politike, marshimet publike, demonstratat dhe tubimet e tjera që mund të tërheqin turma të mëdha janë ndaluar në Kinshasa, si dhe në provincat Tshopo, Haut-Uele dhe Bas-Uele, sipas direktivës së nënshkruar nga ministri i Brendshëm Jacquemain Shabani.

Epidemia e Ebolës është përqendruar në provincat Ituri, Kivu Verior dhe Kivu Jugor, ndërsa autoritetet thanë se masa e fundit do të ndihmojë në parandalimin e përhapjes drejt zonave fqinje. Numri i rasteve të konfirmuara ka arritur në 1.274, përfshirë 360 vdekje, që nga shpallja e epidemisë më 15 maj, sipas përditësimit të situatës të publikuar të hënën nga Ministria e Shëndetësisë.

Masat e fundit vijnë pas vendosjes së fundit të një karantine të detyrueshme 21-ditore për udhëtarët që vijnë nga zonat e prekura nga Ebola. Muajin e kaluar, autoritetet pezulluan gjithashtu aktivitetet sportive dhe aktivitete të tjera shoqërore në Ituri, epiqendra e epidemisë.

Megjithatë, opozita e hodhi poshtë vendimin e fundit duke e cilësuar si “antikushtetues” dhe një “lëvizje me motive politike” nga shumica në pushtet.

Zëdhënësi i aleancës së gjerë opozitare Koalicioni Neni 64 (C64), Prince Epenge u tha gazetarëve në Kinshasa se kufizimet synojnë të bllokojnë një marsh të planifikuar për 8 korrik kundër ndryshimeve të propozuara kushtetuese, të cilat kritikët thonë se mund të zgjasin mandatin e presidentit Felix Tshisekedi.