Eurodeputetët në Tiranë, pritet të jenë sonte pjesë e protestës së 30-të kombëtare kundër qeverisë
Një grup eurodeputetësh të Parlamentit Europian kanë mbërritur në Shqipëri dhe, sipas informacioneve, pritet të marrin pjesë sonte në protestën e 30-të kombëtare kundër qeverisë.
Vizita e tyre vjen në kuadër të një misioni për të parë nga afër situatën e zonave të mbrojtura në Shqipëri, veçanërisht peizazhin natyror të Vjosë-Nartës, një nga zonat për të cilat ka pasur reagime dhe protesta nga aktivistë e qytetarë.
Delegacioni i eurodeputetëve të grupit parlamentar të Gjelbërve/EFA-s do të qëndrojë në Shqipëri nga 29 qershori deri më 1 korrik, ku do të zhvillojë takime me komunitete lokale, mbrojtës të mjedisit dhe përfaqësues të institucioneve.
Misioni udhëhiqet nga eurodeputetja Tineke Strik, raportuese në hije për raportin e Parlamentit Europian për Shqipërinë për vitin 2025. Ajo ka deklaruar se rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian duhet të shoqërohet me mbrojtjen e mjedisit, forcimin e shtetit ligjor dhe transparencën.
Në deklaratat e saj, Strik ka shprehur mbështetje për shqetësimet e protestuesve lidhur me zonën Vjosë-Nartë, duke theksuar se zonat e mbrojtura duhet të ruhen në përputhje me standardet europiane.
Në delegacion bëjnë pjesë edhe eurodeputetët Cristina Guarda, Vicent Marzà i Ibáñez, Daniel Freund, Jutta Paulus dhe Anna Strolenberg.