EKSKLUZIVE/ Gazetari holandez: Historia e Ramës me arkitektët e huaj është e hershme, por tani ka plot para droge

Gazetari holandez Vincent van Gerven Oei, i ftuar në emisionin “Task Force” me Sonila Meçon në SYRI TV, ka hedhur akuza të forta ndaj Edi Ramës, lidhur me zhvillimet urbane në Shqipëri, arkitekturën ndërkombëtare dhe lidhjet e saj me kapitalin.

Sipas tij, arkitektura ndërkombëtare ndodhet në krizë globale, ndërsa Shqipëria, për shkak të Edi Ramës dhe parave të drogës që hyjnë pa kontroll, është kthyer në një terren ku shumë studio të huaja gjejnë hapësirë të madhe veprimi dhe liri të plotë projektesh.

Ai u shpreh se ky proces ka nisur rreth 20 vite më parë, fillimisht me hapa të vegjël, por është zgjeruar gradualisht deri në situatën aktuale. Gazetari theksoi se sot situata është ndryshe, pasi sipas tij qarkullojnë fonde të mëdha me burime të dyshimta.

‘Shiko, siç e ka shkruar patjetër që arkitektura ndërkombëtare tani është në krizë. Edhe ata kanë gjetur në Shqipëri një atmosferë, një vend ku ata mendojnë që mund të bëjnë çfarë të duan.

Në gjithë vendet e botës ka një problem. Ata janë lidhur veten me fuqinë e kapitalit edhe brenda gjithë popullsive ka një lloj, një sens negativ ndaj tyre.

Por ata mendonin të paktën në atë kohë që 'oh, në Shqipërinë e Edi Ramës ne jemi të mirëpritur edhe ne do vijmë, ne do bëjmë diçka të bukur'. Ashtu kishin menduar. Edhe tani populli nëpër rrugë, nëpër bulevarde të Shqipërisë ka treguar jo.

Shiko, ky ka qenë një proces i gjatë. Ka qenë një proces ka 20 vite që ka nisur. Ka filluar me nukle të vogla, me hapa të vogla, kjo ka rritur në një mënyrë organike. Po ta shikosh lidhjen e këtyre arkitektëve me Shqipërinë ka një histori të gjatë. Edhe patjetër tani ka marrë një vrull sepse ka shumë para, por fillesat kanë qenë shumë të vogla.

Sepse tani, po, sepse tani kemi një thes të plotë parash droge. Ka para për të gjithë, kupton? Edhe të gjithë vijnë. Por në fillim nuk ka qenë kështu. Në fillim ka patur shumë pak para në fakt.

Po siç tha kolegu brenda studios, të gjitha këto gjëra janë të ndërlidhura. Arkitektura është vetëm një pjesë e vogël. Absolutisht jo. Ai ka vetëm vlerë sepse ai është kryeministër. Ai ka vetëm vlerë si artist sepse është kryeministër.’ tha gazetari holandez Vincent van Gerven Oei në SYRI TV.