Allegri ndahet nga Milani, gati kalimi te Napoli

Massimiliano Allegri është shumë pranë largimit zyrtar nga Milani, përpara se të marrë drejtimin e Napolit.

Sipas raportimeve të “Sky Sport Italia”, trajneri italian pritet të ndërpresë sot kontratën me kuqezinjtë.

Allegri u shkarkua në fund të sezonit 2025-2026 pas dështimit për ta kualifikuar Milanin në Ligën e Kampionëve, por ai vazhdonte të ishte nën kontratë me klubin.

Për këtë arsye, palët duhet të arrijnë një marrëveshje për paketën e largimit, në mënyrë që tekniku italian të jetë i lirë të firmosë me klubin e tij të ri.

Sipas raportimeve, Milani dhe Allegri pritet të finalizojnë ndërprerjen e kontratës në orët e ardhshme, ndërsa gazetari Matteo Moretto ka konfirmuar se marrëveshja mes dy palëve është shumë pranë.

Pas zgjidhjes së situatës me Milanin, Allegri pritet të prezantohet si trajneri i ri i Napolit.

Klubi napolitan dhe trajneri 58-vjeçar kanë arritur marrëveshje prej disa javësh dhe pritet të firmosin një kontratë dyvjeçare.

Kështu, një kapitull i ri pritet të nisë për Allegrin, i cili do të rikthehet në pankinë me synimin për ta udhëhequr Napolin drejt objektivave të mëdha në sezonin e ardhshëm.