Zjarr i madh në kodrat e Shtërmenit, vihet nën kontroll pas disa orësh
Një zjarr me përmasa të mëdha përfshiu këtë të hënë kodrat e fshatit Shtërmen, në Bashkinë e Cërrikut, duke djegur një sipërfaqe me bimësi dhe duke shkaktuar alarm në zonë.
Flakët vazhduan për disa orë, ndërsa në terren u angazhuan ekipe zjarrfikëse nga Cërriku, Elbasani, Gramshi dhe Belshi për të izoluar vatrën dhe për të parandaluar përhapjen e saj në zona të tjera.
Pas një operacioni disaoresh, zjarri u vu nën kontroll dhe më pas u shua, duke shmangur dëme të mëtejshme.
Shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende të paqarta dhe pritet të verifikohen nga autoritetet përkatëse.
Ngjarja vjen në një periudhë kur temperaturat e larta kanë rritur ndjeshëm rrezikun e zjarreve në shumë zona të vendit, ndërsa ekspertët vijojnë të bëjnë thirrje për kujdes maksimal për të shmangur incidente që mund të rrezikojnë mjedisin dhe pronat.