Të shtënat me armë në Gjermani, shkon në gjashtë bilanci i viktimave, 2 persona vihen në pranga
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Stade në Gjermani, ku gjashtë persona humbën jetën pas një sulmi me armë zjarri në një qendër të kujdesit për të rinjtë, e cila përfshin edhe ambiente banimi për nëna dhe fëmijë.
Sipas mediave gjermane, të shtënat ndodhën të hënën në një objekt në rrugën Dankersstrasse. Pesë viktima humbën jetën në vendngjarje, ndërsa një person tjetër ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të marra. Disa persona të tjerë mbetën të plagosur, disa prej tyre në gjendje të rëndë.
Policia bëri të ditur se të gjitha viktimat ndodheshin brenda ndërtesës në momentin e sulmit. Dy persona janë arrestuar, mes tyre edhe autori i dyshuar i të shtënave.
Situata u përshkrua si kaotike. Sipas një dëshmitari okular, një grua dhe një i ri dyshohet se u përpoqën të largoheshin nga vendi i ngjarjes me makinë. Pasi drejtuesi nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar, efektivët hapën zjarr, duke qëlluar disa herë drejt automjetit.
Motivet e sulmit mbeten ende të paqarta. Policia ka deklaruar se, bazuar në hetimet paraprake, ngjarja lidhet me një konflikt familjar dhe se nuk ekziston rrezik për publikun.
Në vendngjarje u angazhuan edhe kapelanë për të ofruar mbështetje psikologjike për të mbijetuarit dhe familjarët e viktimave.
Këshilltari i qytetit, Carsten Brokelmann, falënderoi forcat e policisë për ndërhyrjen në një situatë të vështirë dhe shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave. Ai theksoi se, për momentin, nuk mund të jepen detaje të tjera mbi rrethanat e ngjarjes, ndërsa hetimet vijojnë.