Blushi në Parlamentin Europian: Rama po shpopullon Shqipërinë, drejtësia është kthyer në armë politike
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, zhvilloi takime në Parlamentin Europian me kryetarin e Delegacionit të Parlamentit Europian, Marco Tarquinio, si dhe me raporterin për Shtetin e së Drejtës, Konstantinos Arvanitis.
Gjatë këtyre takimeve, Blushi ngriti shqetësimet që, sipas tij, lidhen me situatën politike, sundimin e ligjit dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Sipas Blushit, pasojat e keqqeverisjes së kryeministrit Edi Rama kanë sjellë shpopullimin e vendit, veçanërisht përmes largimit masiv të të rinjve.
"Pasojat dramatike të keqqeverisjes së Edi Ramës kanë shpopulluar vendin nga të rinjtë. Korrupsioni dhe kriminalizimi i shtetit e kanë shpopulluar Shqipërinë si asnjë vend tjetër në rajon. Kjo është arsyeja pse të rinjtë janë ngritur në protesta masive për largimin e panegociueshëm të Edi Ramës", u shpreh Blushi.
Ai deklaroi gjithashtu se korrupsioni ka dëmtuar rëndë shtetin ligjor dhe se reforma në drejtësi nuk ka arritur të japë rezultatet e pritshme në luftën kundër korrupsionit.
"Korrupsioni ka shkallmuar shtetin ligjor. Reforma në drejtësi dështoi të luftojë korrupsionin. Tregues është raporti i Transparency International, që e rendit Shqipërinë 11 vende më poshtë se një vit më parë. Progresivisht, me rritjen e numrit të arrestimeve është rritur edhe korrupsioni. Pandëshkueshmëria është kthyer në sistem", tha ai.
Në vijim, Blushi akuzoi institucionet e drejtësisë për përdorim politik, duke iu referuar edhe çështjes së Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
"Drejtësia e re po përdoret politikisht. Presidenti Meta është rrëmbyer prej dy vitesh, në një skenë që të kujton rrëmbimin e Aldo Moros. Meta mbahet në paraburgim pa asnjë provë dhe pa asnjë fakt penal kundër tij. Nuk mund të ketë integrim në Bashkimin Europian pa një shtet të së drejtës që respekton Konventën Europiane", deklaroi Blushi.
Takimet u zhvilluan në kuadër të vizitës së delegacionit të Partisë së Lirisë në Parlamentin Europian, ku në fokus ishin zhvillimet politike në Shqipëri, funksionimi i shtetit ligjor dhe procesi i integrimit europian të vendit.