Spahia-Ramës: Kush është qen që leh o kryehajdut? Pacientët, familjarët e pacientëve apo mjekët

Deputeti demokrat Bardh Spahia ka dënuar ashpër gjuhën e përdorur nga Kryeministri Edi Rama, pasi ky i fundit krahasoi me "qen që lehin" qytetarët që kritikojnë qeverinë.

Spahia e cilëson këtë një fyerje të rëndë ndaj pacientëve, familjarëve të tyre, mjekëve, gazetarëve dhe çdo qytetari që kërkon llogari për dështimet në sistemin shëndetësor, duke e akuzuar Ramën për arrogancë, mungesë humanizmi dhe përbuzje ndaj njerëzve në nevojë.

Reagimi:

​Është thellësisht revoltuese dhe e pafalshme që Kryeministri i vendit t'u drejtohet pacientëve të braktisur, familjarëve të pacientëve të Onkologjikut, mjekëve, gazetarëve apo kujtdo që ngre zërin kundër babëzisë qeveritare duke i barazuar me "qen që lehin".

​Nuk është lehje por ulërimë nga dhimbja dhe dëshpërimi për jetën e të dashurve të tyre në një sistem shëndetësor që i ka braktisur. Në vend që t'u garantohet e drejta themelore për trajtim njerëzor, ilaçe jetëshpëtuese dhe shërbim falas e dinjitoz, ata marrin mbrapsht përbuzjen e pushtetit tënd cub!

​Nëse për ty njësoj si për atin tënd ideologjik, të cilit ja ke shumë qejf shprehjet, njerëzit e vuajtur dhe të pamundur që sipas teje nuk meritojnë trajtim të denjë mjeksor janë qen që lehin ndërsa karvani yt i hajdutëve "ecën përpara" duke shkelur mbi vuajtjet, mjerimin dhe dinjitetin e njerëzve më të pambrojtur të kësaj shoqërie, ai është një karvan turpi. 

Të ofendosh qytetarët në ditën e tyre më të zezë, e në hallin e tyre më të madh në vend që të mbash përgjegjësi për dështimin e spitaleve, është treguesi më brutal i humbjes së çdo grimce humanizmi. Kjo gjuhë arrogante dhe e pashpirt duhet refuzuar dhe dënuar me forcë nga çdo qytetar.