Teliti: 'Albanian Files' zbërthen dështimin e modelit ekonomik 13-vjeçar, SPAK të hetojë tenderat...
Në një intervistë për Syri TV me Arnold Kariqin, nënkryetari i Këshillit Bashkiak Tiranë, Dorjan Teliti, ka folur për dosjen 'Albanian Files', duke e cilësuar atë si dëshminë e radhës të një modeli ekonomik të ndërtuar në 13 vitet e fundit, i cili funksionon mbi një sistem klientelizmi.
Teliti gjithashtu kërkoi ndërhyrjen e SPAK-ut për të vënë drejtësinë në vend dhe për zbardhjen e këtyre dokumenteve zyrtare, të cilat janë të publikuara dhe jo vetëm 'biseda korridoresh'.
Ai gjithashtu shtoi se ekonomia shqiptare po mbështetet vetëm te turizmi, ndërsa bujqësia dhe industria prodhuese janë lënë pas dore.
Së pari, 'Albanian Files' është thjesht dëshmia e radhës e modelit ekonomik të ngritur këto 13 vite. Është një model ekonomik i cili nuk mbahet në këmbë, i cili nuk zhvillohet mbi konkurrencë të lirë e të ndershme, që nuk zhvillohet mbi asetet që ka gjithsecili, që nuk zhvillohet nga aspirata që ka çdokush për të zhvilluar veten, për të zhvilluar familjen, komunitetin ku jeton.
Por është një model ekonomik i cili bazohet vetëm në ëndrrat dhe dëshirat e një individi, që është kryeministri, mbreti, agai, quajeni si të doni, sulltani. Ashtu siç këta arkitektët, sikur paska mbaruar Shqipëria nga arkitektët e paskan pasur nevojë të marrin arkitektë nga jashtë. Këta arkitektë të huaj, duke u bërë edhe këto elozhe që kanë dalë tashmë sheshit, që ti je mbreti, ti je më i miri, ti je më i bukuri e kështu me radhë.
Është një model ekonomik i cili është tërësisht i dështuar. I cili jo thjesht nuk e çon ekonominë shqiptare përpara, por, përkundrazi, e ka çuar me hapa mbrapa. Dhe, për më tepër, ajo që dua të vë në dukje është një pyetje shumë e madhe, të cilën ne mund ta ngremë si akuzë, por nuk i japim dot përgjigje. Dhe për këtë duhet që organet e prokurorisë, SPAK-ut, të vihen në lëvizje.
Këto flukse të mëdha parash, nga dalin? Nga shkojnë? Si i marrin këta arkitektët? Si përzgjidhen këta arkitektët? Përzgjidhen me telefonata, siç ka dalë këto ditë nëpër media, kur edhe vetë kryeministri merrte në telefon njërin apo tjetrin dhe i thoshte: hajde bëje ti këtë projekt. Pra, tërësisht sikur të ishte në pronat e veta dhe jo në pronat e shtetit shqiptar.
Ne këtë gjë e kemi denoncuar, sepse kjo dihet, është e njohur për të gjithë publikun shqiptar, por tashmë ka dalë edhe e evidentuar dhe SPAK-u nuk mund të thotë më thjesht se këto janë llafe lokalesh, nuk mund të thotë më thjesht se këto janë biseda korridoresh. Këto janë tashmë dokumente zyrtare të cilat kanë dalë, janë publikuar.
SPAK-u të marrë urgjentisht masat për të vënë drejtësinë në vend. Dhe drejtësia si vendoset? E para, duke zhbërë të gjitha ato lloj marrëveshjesh të drejtpërdrejta, sepse nuk t'i lejon legjislacioni shqiptar, dhe e dyta, që është akoma edhe më e rëndësishme, ato para që kanë ikur, do të kthehen mbrapsht. Sepse edhe ky varianti që na kapen këta që abuzojnë me miliarda euro e me qindra miliona euro e pastaj na bëjnë shërbim prove, e na rrinë pastaj disa ditë në arrest shtëpie e kështu me radhë, e dalin pastaj më të kulluar se ç'ishin, dhe i shohim rrugëve të Tiranës, që bëjnë edhe karshillëk dhe të japin edhe mend se si bëhesh ti milioner e miliarder, kjo histori do të mbarojë.
'Albanian Files' është thjesht shembëlltyra e modelit ekonomik të dështuar, por jo vetëm kaq, edhe klientelist dhe korruptiv, të qeverisjes 13-vjeçare, e cila as e ka vrarë fare mendjen për mirëqenien e shqiptarëve, as e ka vrarë fare mendjen se si të fuqizojë biznesin, por si e si të fuqizojë atë grusht njerëzish, të piketuar, të etiketuar, të rrethit të ngushtë, tashmë të bërë publik edhe nga këto dosje që kanë dalë.
Tani kemi qenë dëshmitarë të javëve të fundit dhe të këtyre që bëjnë si ekonomistë, kur nuk janë ekonomistë, që lëvizin ekonominë, që bëjnë këto llogari ku 4 bëhet 8, 8 bëhet 12.
Tani, 4 bëhet 8 dhe 8 bëhet 12 në Shqipëri ka ndodhur me tenderët publikë. Që një prokurim publik bënte 4 milionë euro, ata e kanë fryrë në 8 dhe e kanë çuar në 12. Kjo po, është aritmetikë që ka ekzistuar. Në ekonomi 4 nuk bëhet 8 dhe nuk bëhet 12. Një ekonomi e cila nuk bazohet në sektorin prodhues, që nuk bazohet në meritokraci dhe që nuk bazohet në burime njerëzore të cilat janë të afta, nuk ka shanse të zhvillohet.
Tani, në ekonominë shqiptare po e thotë edhe qeveria, edhe kryeministri, edhe të gjithë eksponentët e mazhorancës, që ekonominë shqiptare do ta bazojnë praktikisht vetëm te turizmi. Bujqësia është në recesion, as duan t'ia dinë fare. Industria prodhuese është në recesion, as duan t'ia dinë fare.
Me çfarë krenohen? Krenohen me turizmin dhe me ndërtimin. E para, sektori i ndërtimit nuk është diçka e cila vazhdon përjetësisht të zhvillohet. Do të arrijë një moment ngopjeje, sepse është në bazë të kërkesës që ka vetë tregu. Ndërsa, në anën tjetër, sektori i turizmit. Më thoni një vend të botës i cili e ka bazuar ekonominë e vet vetëm te turizmi dhe që është vend i zhvilluar. Nuk ka. Madje, janë modele të vendeve të cilat janë tërësisht të prapambetura. Po të shohësh vendet e Amerikës Qendrore, që janë shumë turistike, edhe me ishuj, ku shkojnë njerëz nga e gjithë bota, atje është varfëri ekstreme.