SYRI TV/ ‘Jemi në fushatë, shto ndihmën ekonomike’ - Detaje nga dosja e Prokurorisë së Elbasanit
Pas hetimeve të Prokurorisë së Elbasanit, administratori i Njësisë Administrative Gjoçaj në Peqin, ka pranuar se gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, drejtoresha e Sigurimeve Shoqërore Elbasan, Etleva Mezini i kërkoi të shtonte numrin e përfituesve të ndihmës ekonomike. Sipas hetimeve, dyshohet se përfituesit u trefishuan në mënyrë abuzive, me një dëm prej 12.5 milionë lekësh ose 130 mijë euro. Ky rast, ngre dyshime të forta se ndihma ekonomike është përdorur për qëllime elektorale.
Syri tv
Administrator i Njësisë Administrative Gjoçaj, në Peqin, pranon se Drejtoresha e Sigurime Shoqërore në Elbasan, Etleva Mezini, i ka kërkuar të shtojë numrin e përfituesve të ndihmës ekonomike në fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
“Në mars 2025, drejtoresha Mezini më ka kërkuar të shtojë numrin e përfituesve, pasi kishte filluar fushata zgjedhore”, ka deklaruar ai para prokurorëve të Elbasanit, të cilët kishin nisur një hetim për abuzim me detyrën. Pak ditë më parë, Prokuroria e Elbasanit njoftoi se ishin pezulluar nga detyra apo vendosur në masë arresti në shtëpi 7 zyrtarë lokalë, të dyshuar për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentash”. Sipas hetimit, rezultoi se këta persona kanë trefishuar në mënyrë abuzive numrin e individëve që duhet të përfitonin ndihmë ekonomikë në njësinë Gjoçaj, me një dëm ekonomik në shumën 12.5 milionë lekë të reja ose rreth 130 mijë euro. Prokuroria kujdeset të thotë se rezultatet i përkasin vetëm kësaj njësie administrative, duke lënë të kuptohet se veprimtaria hetimore është shtrirë edhe në struktura të tjera.
Nga hetimet rezultoi se veprimet e dyshuara të paligjshme janë kryer në periudhën nëntor 2024-prill 2025, kohë që përkon pikërisht me nisjen e fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare. Nga të dhënat e dosjes hetimore krijohen dyshime të forta se gjithçka i përket krimeve zgjedhore. Për momentin është e paqartë se përse kjo dosje nuk është hetuar nga Prokuroria e Posaçme, e cila është kompetentë për veprat penale që përfshihen në fushën e zgjedhjeve. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, Partia Socialiste e Edi Ramës mori mandatin e katërt qeverisës, ndërkohë që opozita akuzoi qeverinë se ka përdorur të gjithë resurset shtetërore për të siguruar vota në favor të saj. Raporti i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE-ODIHR-it, gjithashtu konstatoi se qeveria përdori burimet publike për të favorizuar veten në zgjedhjet parlamentare. Rasti i evidentuar në njësinë administrative Gjoçaj në Peqin përbën një nga historitë tipike, për të cilat Partia Demokratike ka denoncuar publikisht se kanë ndodhur në çdo zonë të Shqipërisë.