Brazil-Japoni rikthen kujtimet e ‘Holly e Benji’, finalja legjendare që mahniti miliona tifozë

Përballja mes Brazilit dhe Japonisë në fazën e 1/16-ave të Kampionatit Botëror 2026 nuk ngjall interes vetëm për atë që pritet të ndodhë në fushë, por rikthen në kujtesë edhe një nga historitë më të famshme të filmit të animuar, “Holly e Benji”.

Në sagën “World Youth”, të krijuar nga Yoichi Takahashi mes viteve 1994 dhe 1997, Japonia përballet pikërisht me Brazilin në finalen e Kupës së Botës U-20. Ndeshja zhvillohet në stadiumin “Nagai” të Osakës dhe përfundon me fitoren 3-2 të japonezëve pas kohës shtesë, falë golit të artë të Oliver Hutton (Tsubasa Ozora), në një nga momentet më ikonike të serialit.

Japonia zbriste në fushë me ‘yjet’ e saj më të mëdhenj: Oliver Hutton, Benji Price (Genzo Wakabayashi), Mark Lenders (Kojiro Hyuga) dhe Tom Becker (Taro Misaki). Në anën tjetër ishte Brazili, i drejtuar nga Roberto Hongo, mentori i Oliverit, dhe me superyllin Carlos Santana, i cili kishte shkëlqyer gjatë gjithë turneut.

Brazili dominoi pjesën e parë, por Benji Price bëri pritje vendimtare dhe mbajti portën të paprekur. Në pjesën e dytë Santana kaloi brazilianët në avantazh me një goditje spektakolare, ndërsa hyrja në lojë e Tom Becker ndryshoi rrjedhën e finales. Ai shërbeu Oliver Hutton për golin e barazimit dhe më pas ndihmoi edhe Mark Lenders të realizonte për 2-1.

Kur dukej se Japonia do ta fitonte ndeshjen, Natureza barazoi në minutat e fundit me një goditje akrobatike, duke e çuar finalen në kohën shtesë. Pikërisht aty erdhi momenti më i paharrueshëm i serialit, kur Oliver Hutton shënoi me një roveshatë spektakolare golin e fitores 3-2, duke i dhuruar Japonisë titullin botëror për të rinj.

Tashmë, më shumë se dy dekada më vonë, Brazili dhe Japonia përballen sërish, këtë herë në Botërorin 2026. Edhe pse bëhet fjalë për futboll real, shumë tifozë nuk mund të mos kujtojnë finalen legjendare të “Holly e Benji”, që frymëzoi breza të tërë dashamirësish të futbollit.