‘Albanian Files’, gjurmët e një krimi dhe korrupsioni monstruoz!

Nga Belind Këlliçi 

“Albanian Files” nuk është një libër me trille dhe shaka arkitektësh siç tha Edi Rama. Eshtë e vërteta e Shqipërisë në këto vite.

Kryeministri në fakt ja ka tejkaluar dëshirën holandezit de Graaf që kërkonte ta shihte mbret. Se dhe një mbret ka disa kufizime e ndalesa. Edi Rama sillet si pronar absolut i Shqipërisë. Ai përcakton vendin ku do ndërtohen kullat, porosit projektet tek arkitektët e rrethit të tij dhe më tej, paratë vijnë nga trafiku i drogës.

Shihni rastin e dy kullave më të larta në vend pas Pallatit të Kulturës, një ndërtim që ka nisur. Në librin “Albanian Files”, vjen dëshmia e arkitektit nga Kili që thirret në telefon nga Edi Rama për ta bërë projektin. Ai vjen nga ana tjetër e botës dhe realizon konceptin.

Në aksionet e fundit të SPAK, me disa ndërtues të proceduar dhe disa prej trafikantëve më të mëdhenj të drogës që fusnin paratë në këto kantiere, është kuptuar se si këto kulla të Edi Ramës gjenin financimin.

Si mund të jetë ndryshe një narkoshtet?!

Dhe Edi Rama është direkt i implikuar. Mjaftojnë dëshmitë e arkitektëve.

Por ka edhe më shumë. Tek “Albanian Files” del se disa projekte janë porositur dhe janë hartuar dhe janë destinuar në zona të mbrojtura, dy ose 3 vjet para se të bëheshin ndryshimet ligjore për t’I hapur rrugën ndërtimit aty ku ishte e ndaluar.

Del qartë se miqtë e Ramës e kanë ditur se ligji do ndryshohej. Kanë pasur garanci absolute derisa kanë shpenzuar jo pak para për arkitektët e shtrenjtë të Ramës.

Kjo është provë e gjallë e kapjes së shtetit, pasi kemi kalim të ligjit, të ndryshimeve që u bënë për hequr mbrojtjen nga zonat më të bukura të vendit, me porosi, për interes të një grupi të caktuar njerëzish. Ky është korrupsion i nivelit më të lartë.

Këtu nuk ka asgjë intelektuale që do t’i kërkonte kohë e mund SPAK-ut. Eshtë korrupsion haptazi dhe i provuar.

Mjafton libri “Albanian Files”. Aty janë gjurmët e një prej krimeve më të mëdha që kanë ndodhur në vend, me parathënie nga Edi Rama.