‘Fenomeni’ vlerëson Mbappé-në: Më kujton veten në kulmin e karrierës
Legjenda braziliane e futbollit botëror, Ronaldo “Fenomeni”, ka bërë një vlerësim të lartë për Kylian Mbappé-në, duke e krahasuar sulmuesin francez me versionin e tij më të mirë gjatë karrierës së tij si lojtar.
Në një intervistë për ‘L’Équipe’, ish-ylli brazilian ka theksuar se Mbappé dhe Lionel Messi janë lojtarë që shkojnë përtej statistikave dhe meritojnë të jenë ndër golashënuesit më të mëdhenj në historinë e Kampionateve Botërore.
“Sa më shumë e shoh Mbappé-në, aq më shumë më kujton veten time në kulmin e formës. Stili i tij i lojës më sjell në mendje versionin tim më të mirë si futbollist. Ai është një nga më të mëdhenjtë e futbollit modern dhe një trashëgimtar natyral i legjendave të këtij sporti”, është shprehur Ronaldo.
Ai ka folur gjithashtu edhe për disa nga yjet e tjerë të futbollit botëror, duke vlerësuar Erling Haaland si një kombinim i forcës së Wayne Rooney, shpejtësisë së tij dhe aftësive realizuese të Harry Kane.
Sipas Ronaldos, kombëtare si Franca, Spanja dhe Argjentina po luajnë futboll shumë të fortë dhe mbeten ndër pretendentet kryesore për titullin botëror, ndërsa Gjermania gjithmonë përfaqëson një rrezik serioz në çdo turne.
“Messi dhe Mbappé janë golashënuesit kryesorë të këtij Botërori dhe kanë kaluar edhe rekordet e mia. Rekordet janë bërë për t’u thyer dhe futbolli shkon përtej numrave. Të dy e meritojnë të jenë ndër më të mirët”, ka shtuar ai.
Ronaldo ka theksuar gjithashtu se futbolli ka ndryshuar ndjeshëm me kalimin e viteve, si në ritëm ashtu edhe në aspektin teknik, ndërsa Brazili nuk është më favorit absolut, por mbetet gjithsesi një nga fuqitë kryesore të këtij sporti.