SYRI TV/ Banorët e Lalarit në Fier pa ujë në kulmin e verës: Uji vjen një herë në tre ditë, zgjat vetëm 1 orë
Në një kohë kur temperaturat po arrijnë nivele rekord, banorët e fshatit Lalar në bashkinë Fier po vuajnë mungesën e ujit të pijshëm. Shqetësimi është ngritur nga vetë banorët, të cilët shprehen se uji shkon në rubinetat e tyre një herë në tre ditë dhe, për më tepër, për një kohë të shkurtër, duke qenë i pamjaftueshëm për të mbushur edhe depozitat e tyre. Banorët bëjnë apel që kjo situatë të zgjidhet.
Banorët e fshatit Lalar, pjesë e njësisë administrative Portëz në Bashkinë Fier, në kulmin e sezonit veror po përballen me mungesë të theksuar të ujit të pijshëm. Sipas banorëve, uji shkon në banesat e tyre një herë në tre ditë dhe, për më tepër, në kohë dhe sasi të pamjaftueshme për të mbushur depozitat e tyre. Ata shprehen se për të siguruar ujin e nevojshëm detyrohen t’u drejtohen puseve të fqinjëve ose të blejnë ujë nga autobotët që furnizojnë zonën.
Sipas tyre, ankesat pranë njësisë administrative Portëz kanë qenë të vazhdueshme, por deri më tani nuk është marrë asnjë masë konkrete për zgjidhjen e problemit.
Përveç mungesës së ujit, banorët ngrenë shqetësimin edhe për gjendjen e amortizuar të infrastrukturës rrugore. Sipas tyre, rrugët e fshatit janë të mbushura me gropa, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe mjeteve bujqësore. Fshati Lalar, që dikur numëronte rreth 450 familje, sot ka më pak se 250 banorë.