Argentina arrin marrëveshje me Scaloni-n për vazhdimin e kontratës deri në vitin 2031
Argjentina ka arritur një marrëveshje verbale me trajnerin Lionel Scaloni për të vazhduar bashkëpunimin deri në vitin 2031, sipas raportimeve të ESPN dhe Federatës Argjentinase të Futbollit (AFA).
Sipas këtyre burimeve, palët kishin rënë dakord për një kontratë afatgjatë përpara se të mbërrinin në Shtetet e Bashkuara për Kampionatin Botëror 2026, megjithatë ende nuk është nënshkruar një marrëveshje zyrtare. Scaloni ka kërkuar që çdo diskutim për të ardhmen e tij të shtyhet deri pas përfundimit të turneut, duke u fokusuar plotësisht në mbrojtjen e titullit botëror.
Nëse marrëveshja finalizohet, 48-vjeçari do të qëndrojë në krye të “Albicelestes” deri në Botërorin 2030, i cili do të zhvillohet në Spanjë, Portugali dhe Marok, ndërsa ndeshjet hapëse pritet të luhen në Argjentinë, Uruguai dhe Paraguai.
Ndërkohë, ndeshja e 1/16-ave kundër Kepit të Gjelbër do të shënojë një moment historik për Scaloni-n, pasi ai do të drejtojë Argjentinën për herë të 100-të në karrierën e tij si trajner i kombëtares.
Që nga viti 2018, kur zëvendësoi Jorge Sampaoli-n, Scaloni ka transformuar Argjentinën në një nga fuqitë më të mëdha të futbollit ndërkombëtar, duke fituar katër trofe madhorë: Copa América 2021, Kupën e Botës 2022 në Katar, Finalissima-n 2022 dhe Copa América 2024.
Në Botërorin 2026 në SHBA, Argjentina ka vazhduar formën e shkëlqyer, duke mbyllur fazën e grupeve në vendin e parë me tri fitore ndaj Algjerisë (3-0), Austrisë (2-0) dhe Jordanisë (3-1).
Një fitore ndaj Kepit të Gjelbër do ta dërgonte kampionen në fuqi në çerekfinale, ku do të përballej me fituesin e çiftit Australi–Egjipt.