U lanë të flinin në makinë në kulmin e të nxehtit, humbin jetën dy të mitur në Qipro

Dy djem të mitur, të moshës 8 dhe 10 vjeç, janë gjetur të vdekur brenda një makine të mbyllur në Qipro, pasi dyshohet se ishin lënë të flinin në automjet gjatë temperaturave të larta.

Sipas mediave lokale, fëmijët, me origjinë bullgare dhe pjesëtarë të së njëjtës familje, u gjetën në një makinë të parkuar brenda bazës ushtarake britanike në Dhekelia.

Në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë policia e bazës dhe ekipet e emergjencës, por fëmijët u gjendën të vdekur.

Babai dhe njerka e tyre janë arrestuar nën dyshimin për neglizhencë. Zëdhënës të bazave britanike kanë bërë të ditur se autoritetet po hetojnë rrethanat e ngjarjes në një banesë në Xylophagou, në distriktin e Famagustës.

Dyshohet se fëmijëve u ishte kërkuar të flinin në makinë dhe se ata kanë humbur jetën si pasojë e temperaturave të larta dhe mungesës së ajrit. Shkaku zyrtar i vdekjes do të përcaktohet pas autopsisë.

Sipas gazetës Cyprus Mail, në trupat e fëmijëve janë vërejtur shenja të djegieve nga nxehtësia. Media lokale raportojnë gjithashtu se automjeti ishte i mbyllur dhe i parkuar pranë një fushe, afër një zone të banuar, shkruan Dailymail.

Kjo është një tjetër tragjedi që lidhet me valën ekstreme të të nxehtit që ka përfshirë Evropën javët e fundit.