PSG shumë pranë transferimit të Yan Diomandé, ja pse lojtari nuk zgjodhi Liverpoolin

Paris Saint-Germain është shumë afër finalizimit të transferimit të talentit të madh të Bregut të Fildishtë, Yan Diomandé, pas përparimeve të ndjeshme në negociatat me Leipzigun.

Sipas ‘L’Équipe’, bisedimet mes dy klubeve kanë zgjatur prej disa ditësh dhe kampionët e Francës janë tashmë pranë një marrëveshjeje të plotë për 19-vjeçarin, i cili konsiderohet një nga talentet më premtues në Europë.

PSG pritet të paguajë një shumë totale rreth 100 milionë euro, por me një strukturë të ndryshme nga ajo që kishte ofruar Liverpooli. Parisi do të paguajë rreth 80 milionë euro menjëherë, ndërsa 20 milionë euro të tjera do të jenë bonuse të lidhura me performancën.

Liverpooli kishte shprehur gatishmëri për të përmbushur kërkesën totale të Leipzig prej 100 milionë eurosh, por dëshira e lojtarit për t’u bashkuar me PSG ka qenë vendimtare në këtë operacion.

Diomandé ka arritur tashmë marrëveshje personale me klubin francez dhe pritet të firmosë një kontratë afatgjatë deri në vitin 2031. Presidenti i PSG-së, Nasser Al-Khelaifi, raportohet se ka luajtur një rol kyç në negociata, duke shfrytëzuar edhe marrëdhëniet e tij me drejtuesit e Red Bullit.

Sulmuesi i krahut ka zhvilluar gjithashtu bisedime me trajnerin Luis Enrique-n dhe këshilltarin sportiv Luis Campos, duke u bindur se PSG është destinacioni ideal për të garuar për trofe në Ligue 1, Ligën e Kampionëve dhe për çmime individuale.

Marrëveshja ka marrë hov të madh gjatë Kampionatit Botëror, ku Diomandé ka spikatur me paraqitjet e tij me Bregun e Fildishtë, duke rritur edhe më shumë interesin e klubeve të mëdha evropiane.