Forlán mbron Muslerën: Natën para ndeshjes kishte 40 gradë temperaturë

Pas eliminimit të Uruguait nga Kampionati Botëror 2026, portieri Fernando Muslera është gjendur në qendër të kritikave për gabimin vendimtar në humbjen ndaj Spanjës, që i kushtoi “celestes” kalimin në fazën tjetër. Megjithatë, ish-kapiteni Diego Forlán ka dalë në mbrojtje të tij, duke zbuluar një detaj të rëndësishëm për gjendjen fizike të portierit para ndeshjes.

“Nando, natën para ndeshjes kishte 40 gradë temperaturë”, ka deklaruar Forlán, duke sugjeruar se Muslera nuk ishte në kushte optimale shëndetësore gjatë sfidës vendimtare.

Edhe përfaqësuesi i lojtarit ka reaguar ashpër ndaj kritikave që janë drejtuar në adresë të portierit, duke e mbrojtur atë në rrjetet sociale dhe duke theksuar gjendjen e tij emocionale pas eliminimit. Sipas tij, Muslera është “i zemëruar me veten” dhe thellësisht i zhgënjyer që nuk arriti të përmbushte ëndrrën e uruguajanëve.

Nga ana tjetër, mesfushori Lucas Torreira ka drejtuar kritika ndaj trajnerit Marcelo Bielsa, duke thënë se shumë nga metodat dhe qasjet e tij nuk janë pritur mirë brenda skuadrës. Ai ka theksuar se komunikimi me trajnerin ka qenë i kufizuar dhe se ekipi ka hyrë në Botëror me paqëndrueshmëri.

“Ka ardhur koha të rishikohen shumë gjëra. Duhet të gjejmë një trajner që i përshtatet kulturës sonë të futbollit dhe të rikthehemi sërish konkurrues”, është shprehur Torreira.

Debatet brenda kampit uruguaian janë shtuar edhe më shumë pas eliminimit, ndërsa e ardhmja e Marcelo Bielsa-s në krye të përfaqësueses duket gjithnjë e më e pasigurt.