Përralla dështake e integrimit gjeopolitik dhe 20 pyetje për të 'shkretët' që e besojnë!
Nga Petrit Vasili
Si në çdo rast kur Edi Rama është në hall, shpiket një përrallë propagandistike dhe pompohet fort me ushtrinë e medieve të blera prej tij.
Tani përralla më e fundit është integrimi gjeopolitik, pra Shqipëria do të bëhet vend anëtar i BE-së jo se e meritojmë, por se jemi në një vend ku gjeografia do të na ndihmojë shumë, pavarësisht se nuk e meritojmë.
Po pse është kaq e trashë dhe vulgare një përrallë e tillë?
Faktet pa fund na vijnë për ndihmë.
- Gjeografikisht, a kemi qenë përjetësisht këtu ku jemi?
- Po përse, kur kjo gjeografia jonë gjeopolitike është kaq shumë e çmuar për Europën, kemi 35 vjet që ecim me hapin e breshkës dhe nuk jemi vend anëtar i BE-së?
- Po përse u deshën dhjetë vjet që të hapen kapitujt që nga viti 2016, kur është marrë rekomandimi i parë për hapjen e negociatave?
- Përse harrohet se edhe rekomandimi i vitit 2016 u mor vetëm për hir të votimit me 140 vota të reformës në drejtësi, votim që ishte aksion politik i Metës dhe jo për shkak të Ramës?
- Po përse, ndryshe nga anëtarësimi që për shkak vetëm të Ramës ecën si breshka, liberalizimi i vizave u mor 15 vjet më parë, por të mos harrojmë se atëherë në pushtet ishte opozita e sotme?
- Po përse anëtarësimi në NATO, një aksion madhor politik, ndodhi 18 vjet më parë, por jo me Ramën në pushtet?
- Po përse i bihet daulles idiote të integrimit gjeopolitik, kur dihet që Rama e ka zhvlerësuar totalisht pozicionin gjeopolitik me asgjësimin de facto të Portit të Durrësit dhe korridoreve rrugore që lidhen me të?
- Po përse bëjnë si idiotë të dobishëm dhe flasin për integrim gjeopolitik, ndërkohë që anëtarësimi i Malit të Zi është te pragu i derës dhe Serbia është në një pozicion që i duhet Europës shumë më shumë se ne?
- Po a nuk ka Europa akses të plotë në Shqipëri për çdo gjë përmes NATO-s, shërbimeve inteligjente, Këshillit të Europës dhe mjaft organizmave europiane?
- Po a ka akses gjeopolitik të plotë Europa në Ballkanin Perëndimor përmes Kroacisë, Sllovenisë, Malit të Zi dhe Greqisë?
- A nuk është e qartë që Shqipëria, me qeverisjen mizerabël të Ramës, e ka zhbërë edhe njëfarë roli gjeopolitik që mund të kishte?
- A nuk ka qenë Rama që me Ballkanin e Hapur luftoi hapur kundër integrimit europian dhe anëtarësimit të Shqipërisë në BE, si dhe kundër Procesit të Berlinit?
- A nuk ka folur Rama hapur kundër Europës dhe e ka shantazhuar atë, duke guxuar të ngrejë lart Kinën dhe Rusinë?
- A nuk ka qenë Rama që ka deklaruar idenë e gjysmëanëtarësimit të Shqipërisë pa të drejta të plota?
- A është ngritur në këmbë Parlamenti Europian, nga ku lind edhe BE-ja, kundër veprimeve të Ramës me rezoluta të njëpasnjëshme të votuara me mbi 80% të votave?
- A ka folur publikisht dhe qartë BE-ja për anëtarësim të Shqipërisë vetëm përmes meritës dhe realisht po e bën këtë?
-
A është quajtur Shqipëria narkoshtet, lavatriçe e pastrimit të parasë dhe vendi më i korruptuar i Europës?
-
A pranohet në BE një vend që nuk bën zgjedhje të lira, por qeveria i vjedh?
-
A është në Shqipëria, në Raport-Progreset e Europës dhe të Departamentit të Shtetit, një vend me probleme shumë, shumë të rënda, nga narkotrafiku deri te asgjësimi i shtetit ligjor?
-
A e harruat se sa dhjetëra probleme ka vënë si kushte për Shqipërinë IBAR-i tani së fundi, në të kundërt të qëndrimit ultrapozitiv për Malin e Zi?
Logjika e gjërave është kaq e qartë: po të ishte kaq e vyer, unike dhe e pazëvendësueshme gjeopolitika e Shqipërisë, kjo do të kishte ndodhur, por ja që s'ka ndodhur.
Edhe atë pozicion gjeopolitik, që mund të kishim, Rama e ka shitur në Lindje, ndaj edhe e ka zhvlerësuar tërësisht edhe si oportunitet.
Ndaj përralla e integrimit gjeopolitik, që vjen nga lart si dhuratë dhe kjo ndodh vetëm me Edi Ramën, sigurisht i shërben vetëm këtij të fundit dhe karriges së tij, por kush e beson ose është totalisht budalla, ose, më keq akoma, është i shantazhuar prej Ramës ose pret ndonjë kockë prej tij.