Brezat e rinj po plaken më shpejt se paraardhësit
Të rinjtë po plaken më shpejt se brezat e mëparshëm, studimi ngre alarmin për rrezikun e kancereve të hershme
Të rinjtë e sotëm duket se po përjetojnë një proces plakjeje biologjike më të shpejtë krahasuar me brezat e lindur disa dekada më parë. Një studim i ri sugjeron se “ora biologjike” e tyre po ecën më shpejt dhe kjo mund të lidhet me rritjen e rrezikut për zhvillimin e disa llojeve të kancerit në moshë më të re.
Studimi është realizuar nga studiues të Washington University School of Medicine in St. Louis dhe është bazuar në të dhënat e më shumë se 160 mijë personave nga tre breza të ndryshëm.
Ekipi i udhëhequr nga epidemiologia Yin Cao analizoi të dhëna nga mbi 154 mijë të rinj të rritur në UK Biobank, një nga bazat më të mëdha biomjekësore në botë, si dhe nga mbi 10 mijë pjesëmarrës në programin kërkimor All of Us Research Program në Shtetet e Bashkuara.
Studiuesit përdorën biomarkues specifikë në gjak për të vlerësuar plakjen sistemike të organizmit dhe zbuluan ndryshime të rëndësishme mes brezave.
Në Mbretërinë e Bashkuar, personat e lindur mes viteve 1965 dhe 1974 shfaqën shenja më të mëdha plakjeje biologjike krahasuar me ata të lindur mes 1950 dhe 1954.
Një tendencë e ngjashme u vu re edhe te amerikanët: individët e lindur mes 1990 dhe 1999 kishin nivele më të larta të plakjes sistemike krahasuar me brezin e lindur mes 1965 dhe 1969.
Sipas studiuesve, kjo plakje e përshpejtuar lidhet me një rritje prej rreth 8% të rrezikut për tumore të ngurta me fillim të hershëm, përfshirë kancerin e mushkërive, kancerin gastrointestinal dhe atë të mitrës.
Kur pjesëmarrësit u ndanë sipas nivelit të plakjes biologjike, ata që kishin shenja më të avancuara plakjeje rezultuan me një rrezik 15% më të lartë për zhvillimin e tumoreve të hershme krahasuar me personat me plakje më të ngadaltë.
Studimi evidentoi gjithashtu se plakja e përshpejtuar e sistemit imunitar lidhet me rritje të rrezikut për kancer të mushkërive në moshë të re, ndërsa plakja e avancuar e indit dhjamor lidhet me një rrezik më të lartë për kancer kolorektal.
Shkencëtarët ende nuk kanë një përgjigje të plotë se cilët faktorë po e përshpejtojnë këtë proces, por dyshohet se ndikim mund të kenë ndryshimet në stilin e jetesës, faktorët mjedisorë, stresi kronik dhe zakonet moderne.
Gjetjet hapin një fushë të re kërkimi për të kuptuar pse brezat më të rinj mund të jenë biologjikisht më të “vjetër” se paraardhësit e tyre dhe çfarë masash mund të merren për të ulur rreziqet shëndetësore në të ardhmen.