Bielsa largohet nga Uruguai pas eliminimit nga Botërori 2026 dhe hedh akuza: Më lanë vetëm

Cikli i Marcelo Bielsa-s në krye të përfaqësueses së Uruguait duket se ka marrë fund pas eliminimit të hershëm në fazën e grupeve të Kampionatit Botëror 2026. Trajneri argjentinas pritet të zyrtarizojë së shpejti largimin e tij, ndërsa deklaratat e fundit kanë shkaktuar tronditje brenda kampit uruguaian.

Sipas raportimeve të TyC Sports, në një takim të fundit me lojtarët në hotelin e ekipit në Playa del Carmen, në Meksikë, Bielsa ka bërë një akuzë të fortë ndaj skuadrës: “Po largohem i trishtuar sepse më lanë vetëm...”. Kjo deklaratë ka befasuar veçanërisht lojtarët më me përvojë të grupit, duke lënë një atmosferë të rënduar në dhomat e zhveshjes.

Takimi është zhvilluar përpara se lojtarët të niseshin drejt shtëpive të tyre me fluturime komerciale, pasi Federata Uruguaiane e Futbollit nuk kishte vënë në dispozicion një avion charter. Pavarësisht humbjes së ngushtë 0-1 ndaj Spanjës në Guadalajara, mbledhja ka qenë fillimisht e qetë, derisa Bielsa ka thënë fjalinë që ka ndryshuar krejt atmosferën.

Më herët, trajneri kishte lënë të kuptohej fundi i epokës së tij me një deklaratë edhe më të ashpër: “Ajo që i lë futbollit uruguaian është asgjë.” Këto fjalë reflektojnë një periudhë të vështirë të shoqëruar me tensione të brendshme, përplasje me disa lojtarë dhe kritika publike, përfshirë edhe zërat e Luis Suárez dhe Agustín Canobbio.

Eliminimi nga Botërori 2026 vetëm sa ka përshpejtuar fundin e një cikli të trazuar, ku Uruguai nuk arriti të gjejë stabilitet dhe identitet të qartë në fushë.

Sipas medieve ndërkombëtare, pritet që Marcelo Bielsa të konfirmojë zyrtarisht largimin e tij në një konferencë për shtyp të thirrur të martën e ardhshme në stadiumin “Centenario”.