Arabia Saudite, dorëheqje në federatë pas eliminimit nga Botërori 2026

Në Federatën e Futbollit të Arabisë Saudite ka nisur një kapitull i ri pas eliminimit zhgënjyes nga Kampionati Botëror 2026. Presidenti i federatës, Yasser Al-Misehal, ka dhënë dorëheqjen pas shtatë vitesh në krye të institucionit, duke marrë përgjegjësinë e plotë për dështimin e kombëtares.

Vendimi i tij vjen menjëherë pas përfundimit të fazës së grupeve, ku Arabia Saudite u eliminua pas barazimit pa gola ndaj Kepit të Gjelbër. Me vetëm dy pikë të grumbulluara, sauditët e mbyllën Grupin H në vendin e fundit, duke i dhënë fund aventurës së tyre në turne.

Në deklaratën e tij, Al-Misehal shprehu zhgënjimin e thellë për rezultatin e arritur, duke theksuar se pritshmëritë e vendit ishin shumë më të larta. “Moskualifikimi i kombëtares sonë në fazat e ardhshme të Botërorit nuk është në përputhje me ambiciet tona kolektive dhe unë marr përgjegjësinë e plotë për këtë dështim”, u shpreh ai.

Arabia Saudite mori pjesë në Botërorin 2026 për herë të tretë radhazi dhe në total për të shtatën herë në histori, por në shumicën e rasteve është eliminuar që në fazën e grupeve. Përjashtimi i vetëm mbetet arritja historike në 1/8-at në Botërorin e vitit 1994.

Sipas raportimeve, edhe ndryshimet e mëparshme në pankinë, përfshirë largimin e trajnerit Hervé Renard vetëm dy muaj para turneut, kanë ndikuar negativisht në performancën e skuadrës, e cila nuk arriti të përmbushte pritshmëritë në këtë edicion të Botërorit.