Ronaldinho rikthehet në fushë: Do të luaj minuta në ndeshje zyrtare me Ravenën
Legjenda braziliane e futbollit botëror, Ronaldinho, është gati të rikthehet sërish në fushë për një sfidë të veçantë profesionale, këtë herë me skuadrën italiane Ravenna. Ish-ylli i Barcelonës dhe Milanit ka konfirmuar se do të jetë pjesë aktive e projektit të klubit dhe se pritet të zbresë në fushë edhe në ndeshje zyrtare të Serie C.
Në një intervistë për ‘Flashscore’, Ronaldinho tregoi se gjithçka ka nisur si një ide e thjeshtë, por më pas është kthyer në një projekt serioz. “Filloi pothuajse si një lojë, por më pas u shndërrua në diçka shumë më të madhe”, u shpreh braziliani.
Ai gjithashtu i ka siguruar tifozët se do të ketë minuta loje me Ravenën në ndeshje zyrtare. “Ravenna është një sfidë edhe për mua, sigurisht që do të luaj disa minuta në një ndeshje zyrtare”, deklaroi Ronaldinho, duke hapur kështu mundësinë për një rikthim simbolik në futbollin profesionist italian.
Pavarësisht dyshimeve për gjendjen e tij fizike, ish-fituesi i Topit të Artë theksoi se do të japë maksimumin në këtë eksperiencë të re. “Do të bëj më të mirën time”, tha ai, duke shtuar se në vijim priten edhe surpriza të tjera rreth bashkëpunimit të tij me klubin italian.
Ky rikthim i Ronaldinhos në futboll, edhe pse në një nivel më modest, ka ngjallur interes të madh te tifozët, të cilët mezi presin ta shohin sërish magjinë e tij në fushë.