Halli Albania Files
Nga Klodian Tomorri
Kryeministri është në të drejtën e tij të distancohet nga Albania Files, sa të dojë madje. Por ka një problem të vogël.
Në brendinë e librit ka projekte brenda zonave të mbrojtura, të cilat janë hartuar dy apo tre vjet përpara se të ndryshohej ligji për të lejuar ndërtimet në këto zona.
Kjo e komplikon pak situatën sepse i vendos ndërtuesit që kanë porositur këto projekte tek arkitektët e huaj, vetëm para dy mundësive.
Mundësia e parë është që ndërtuesit kanë qenë të gjithë të çmendur dhe kanë paguar arkitektët e huaj me miliona euro për të bërë projekte kot në zona, ku e dinin se nuk ndërtonin dot.
Mundësia e dytë është që kanë patur garanci se ligji do të ndryshohej dhe në zonat e mbrojtura do të lejohej ndërtimi.
Kjo është pak problem tani se nxjerr mbi tryezë tezën e kapjes së shtetit. Garancinë se ligji për zonat e mbrojtura do të ndryshohej për të lejuar ndërtimin në to, në Shqipëri mund ta japë vetëm një njeri. I distancuari.
Ligjbërja me porosi për grupe të ngushta interesi, dhe jo në interes të qytetarëve dhe kapja e shtetit janë forma më e rëndë e korrupsionit. Këtu është fusha e SPAK.
Prokuroria e Posaçme pasi të sekuestrojë librin e projekteve duhet të shohë të gjithë praktikën proceduriale se si u ndryshua ligji i Zonave të Mbrojtura.
Deputetët nismëtarë për ndryshimin e ligjit duhen pyetur; ore si ju hipi në kokë juve, që të propozonit ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura. Nga se u nisët?
Fjala vjen, Fadil Nasufi, një nga nismëtarët kryesorë të ligjit, është një ekspert shumë i madh për këto punët e zhvillimit të qëndrueshëm. Tani, Dilja thirret aty tek vendi dhe pyetet; Ore Fadil si të lindi ideja për të ndryshuar ligjin e zonave të mbrojtura ty?
I merret dhe telefoni dhe shihet pak aty kush i tha Fadilit me shokë që të propozojnë ligjin. Kush ua çoi të shkruara amendamentet e ligjit, etj.
Kaq kollaj bëhet kjo. Pastaj të distancohet kush të mundet.