Pesticidet nuk veprojnë ndaj dëmtuesit të rrënjëve të misrit/ Fermerët e Maliqit-institucioneve: Humbjet deri në 70%
Fermerët e fshatit Drithas, në Bashkinë Maliq, po përballen me dëme të konsiderueshme në kulturën e misrit për shkak të përhapjes së dëmtuesit Diabrotica virgifera, i njohur si rrënjëngrënësi i misrit. Sipas tyre, insekti ka dëmtuar rëndë sistemin rrënjor të bimëve, duke bërë që misri të thahet, të rrëzohet dhe të mos japë prodhim.
Petrit Ymeri, i cili kultivon 9 hektarë misër, tregon se kjo situatë është përsëritur edhe në vitet e kaluara, ndërsa këtë sezon dëmet janë edhe më të mëdha. Ai shprehet se investimi i kryer arrin në rreth 13-14 milionë lekë të vjetra, ndërsa humbjet deri tani i vlerëson mbi 70 për qind. Sipas tij, specialistët kanë evidentuar praninë e dëmtuesit, por mungojnë preparatet efektive për ta luftuar, pasi disa prej tyre nuk lejohen më për përdorim.
Fermeri thekson se në të njëjtën situatë ndodhen edhe dhjetëra kultivues të tjerë të zonës dhe kërkon ndërhyrje nga institucionet, qoftë përmes mbështetjes financiare, qoftë me zgjidhje konkrete për mbrojtjen e kulturave bujqësore.
Edhe fermerja Bike Ymeri thotë se dëmtimi ka prekur pothuajse të gjithë sipërfaqen e mbjellë me misër. Ajo shprehet se këtë vit nuk pret të sigurojë prodhim, duke shtuar se situata është përkeqësuar edhe nga përmbytjet dhe mungesa e mirëmbajtjes së kanaleve kulluese.
Sipas specialistëve të bujqësisë në Bashkinë Maliq, rreth 50 hektarë me misër janë prekur nga rrënjëngrënësi, ndërsa niveli mesatar i dëmit në sipërfaqet e prekura vlerësohet në rreth 30 për qind. Ata bëjnë apel që fermerët të monitorojnë vazhdimisht parcelat, pasi dëmtuesi kalon në fazën e fluturës dhe vijon të dëmtojë bimën. Sipas specialistëve, trajtimi më efektiv në këtë fazë mbetet spërkatja me dronë.