Botërori 2026 thyen rekorde: 4.6 milionë spektatorë në grupe dhe 300 mijë hot-dog të konsumuar

Faza e grupeve të Kampionatit Botëror 2026 ka vendosur shifra rekord si në stadiume, ashtu edhe jashtë tyre, duke konfirmuar interesin gjigant për turneun e parë me 48 skuadra dhe të zhvilluar në tri vende të ndryshme: SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Sipas të dhënave të publikuara nga FIFA, gjithsej 4.644.549 spektatorë kanë ndjekur 72 ndeshjet e fazës së grupeve, me një mesatare prej rreth 64 mijë tifozësh për ndeshje. Këto shifra e vendosin këtë edicion ndër më të ndjekurit në historinë e Kupës së Botës, duke reflektuar rritjen e madhe të interesit global për turneun.

Por rekorde nuk ka vetëm në tribuna. Në 16 qytetet pritëse, tifozët kanë konsumuar rreth 300 mijë ‘hot-dog’ gjatë ndeshjeve.

Edhe në aspektin sportiv janë regjistruar shifra të larta. Nga 1.248 futbollistë të grumbulluar nga kombëtaret pjesëmarrëse, 999 prej tyre kanë marrë minuta loje, një tjetër rekord që tregon rotacionin e madh dhe intensitetin e turneut.

Ndërkohë, Botërori 2026 ka hyrë tashmë në fazën me eliminim direkt, ku çdo ndeshje është vendimtare dhe rruga drejt finales së 19 korrikut bëhet gjithnjë e më e ashpër.