Nagelsmann paralajmëron Gjermaninë: Paraguai do të jetë një kundërshtar shumë i vështirë

Gjermania rikthehet në fazën me eliminim direkt të një Kampionati Botëror për herë të parë që nga finalja e vitit 2014 në Brazil, kur mposhti Argjentinën me rezultatin 1-0 dhe fitoi titullin e katërt në historinë e saj. Tani "pancerat" synojnë të vazhdojnë rrugëtimin drejt trofeut, por trajneri Julian Nagelsmann ka paralajmëruar skuadrën e tij të mos e nënvlerësojë Paraguain.

Tekniku gjerman, i cili në moshën 38-vjeçare bëhet një nga trajnerët më të rinj që drejton një ekip në fazën me eliminim direkt të Botërorit, vlerësoi forcën e kundërshtarit në konferencën për shtyp para ndeshjes.

"Paraguai luan një futboll shumë mbrojtës. Ata janë një kundërshtar i vështirë për ne dhe do të na kërkojnë maksimumin në fushë", deklaroi Nagelsmann.

Paraguai nuk ka një histori të pasur në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës. Kombëtarja amerikano-jugore ka zhvilluar pesë ndeshje në këtë fazë, pa arritur të shënojë asnjë gol. Kualifikimin e vetëm e regjistroi në Botërorin e vitit 2010, kur eliminoi Japoninë pas goditjeve të penalltive në fazën e 1/8-ave.

Pavarësisht statistikave jo shumë pozitive të rivalit, Nagelsmann kërkon përqendrim maksimal nga futbollistët e tij, duke qenë i vetëdijshëm se faza me eliminim direkt nuk fal gabime. Gjermania shihet si favorite për kalimin në çerekfinale, por trajneri gjerman beson se vetëm një paraqitje në nivelin më të lartë mund t'i sigurojë skuadrës vazhdimin e rrugëtimit në Botërorin 2026.