Tragjedi për futbollistin argjentinas, humb bashkëshorten dhe dy fëmijët nga tërmeti në Venezuelë
Një tragjedi e rëndë ka goditur futbollistin argjentinas, Lucas Trejo, i cili ka humbur bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij pas tërmetit shkatërrues që goditi Venezuelën. Pas disa ditësh kërkimesh të ethshme, ekipet e shpëtimit gjetën pa shenja jete bashkëshorten e tij, Yanina Maranella, si dhe dy fëmijët, Aaron dhe Ainhoa, nën rrënojat e ndërtesës ku jetonin.
Trupat u nxorën nga rrënojat në zonën e Playa Grande, një nga më të goditurat nga tërmeti, falë punës së një ekipi shpëtimi të ardhur nga Salvadori. Kompleksi i banimit Cumanagotto, ku banonte familja e Trejos, u shemb plotësisht si pasojë e lëkundjeve të forta sizmike.
Lajmi i hidhur u konfirmua edhe nga klubi venezuelian Deportivo La Guaira, ku aktivizohet mbrojtësi 38-vjeçar. Në momentin kur ndodhi tërmeti, Trejo ndodhej në Caracas për të zhvilluar një ndeshje të Kupës. Pasi humbi kontaktet me familjen, ai publikoi një apel prekës në rrjetet sociale, duke kërkuar ndihmë për gjetjen e tyre.
Në një komunikatë zyrtare, Deportivo La Guaira shprehu ngushëllimet për futbollistin dhe familjen e tij, duke u solidarizuar me dhimbjen e madhe që e ka goditur. Gjatë ditëve të kërkimeve, disa prej shokëve të skuadrës iu bashkuan ekipeve të shpëtimit, ndërsa të tjerë publikuan pamje nga zonat e shkatërruara, duke treguar përpjekjet për të gjetur familjen e bashkëlojtarit të tyre, të cilin e cilësuan si "mik dhe vëlla".
Me origjinë nga Córdoba e Argjentinës, Lucas Trejo luan në Venezuelë që prej vitit 2016, pasi më parë ka zhvilluar karrierën në Kolumbi, Meksikë dhe Peru. Pas konfirmimit të tragjedisë, futbollisti ka zgjedhur të mos bëjë asnjë deklaratë publike, duke publikuar vetëm një fotografi me bashkëshorten dhe dy fëmijët, në kujtim të familjes së tij të humbur.