Gjermania kërkon reagimin ndaj Paraguait (22:30), Nagelsmann nuk pranon një tjetër hap fals
Gjermania rikthehet në fushë me synimin për të lënë pas humbjen ndaj Ekuadorit në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve dhe për të siguruar kualifikimin në çerekfinale të Kampionatit Botëror 2026. Të besuarit e Julian Nagelsmann do të përballen me Paraguain në një duel ku gabimet nuk falen.
Disfata ndaj Ekuadorit ngriti pikëpyetje mbi formën e "pancerave", të cilët më herët kishin bindur me fitoret ndaj Kuraçaos dhe Bregut të Fildishtë. Tani Gjermania kërkon të tregojë versionin e saj më të mirë në momentin më të rëndësishëm të turneut.
Nagelsmann pritet të rikthejë formacionin e zakonshëm 4-2-3-1, me Antonio Rüdiger në qendër të mbrojtjes dhe mesfushën e përbërë nga Felix Nmecha e Aleksandar Pavlović. Në repartin ofensiv do të mbështetet sërish te Leroy Sané, Jamal Musiala dhe Florian Wirtz, ndërsa Kai Havertz do të jetë pika kryesore e sulmit.
Nga ana tjetër, Paraguai ka arritur deri këtu falë organizimit të fortë mbrojtës dhe suksesit vendimtar ndaj Turqisë. Gustavo Gómez udhëheq prapavijën, ndërsa Miguel Almirón, Julio Enciso dhe Antonio Sanabria do të jenë armët kryesore në kundërsulm.
Gjermania konsiderohet favorite, por Paraguai ka treguar se di të vuajë dhe të godasë në momentin e duhur. Fituesi i kësaj sfide do të përballet në çerekfinale me fituesin e duelit mes Francës dhe Suedisë, duke hapur mundësinë e një supersfide mes Gjermanisë dhe Francës.