Irani vendos kusht për marrëveshjen me SHBA, kërkon tërheqjen e plotë të Izraelit nga Libani
Irani ka vendosur si kusht për një marrëveshje përfundimtare me Shtetet e Bashkuara tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga Libani, duke e konsideruar këtë një hap të domosdoshëm për stabilizimin e rajonit.
Sipas Ministrisë së Jashtme iraniane, largimi i ushtrisë izraelite nga të gjitha zonat e pushtuara në Liban duhet të jetë pjesë e marrëveshjes.
Teherani kërkon gjithashtu zbatimin e plotë të memorandumit të mirëkuptimit, i cili parashikon ndalimin e luftës dhe të operacioneve ushtarake izraelite kundër Libanit.Në të njëjtën linjë është shprehur edhe kryenegociatori iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, i cili ka bërë të ditur se synimi është përfundimi i konfliktit në Liban, kthimi i personave të zhvendosur dhe tërheqja e forcave izraelite nga territori libanez.
Nga ana tjetër, Izraeli vijon të kundërshtojë largimin e trupave nga Libani jugor, me argumentin se prania e Hezbollahut përbën ende një rrezik për komunitetet në veri të vendit.Ndërkohë, Izraeli dhe Libani kanë rënë dakord për një proces gradual, sipas të cilit ushtria libaneze do të marrë kontrollin e zonave në jug të vendit. Deri tani, ushtria e Libanit nuk ka arritur të çarmatosë Hezbollahun ose të largojë luftëtarët e tij nga rajoni.