OBSH: Në vetëm një javë, mbi 1,300 viktima nga temperaturat e larta në Evropë

Mbi 1,300 vdekje të lidhura me temperaturat e larta janë regjistruar në Evropë që nga 21 qershori, ka bërë të ditur Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Në një postim në rrjetin social X, ai theksoi se Evropa është kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë, me një ritëm dy herë më të lartë se mesatarja globale.

Sipas tij, aktualisht rreth 150 milionë njerëz në Evropë po jetojnë nën ndikimin e një vale ekstreme të të nxehtit, e cila shpesh cilësohet si “vrasësi i heshtur”. Ai shtoi se shtëpitë, vendet e punës dhe shkollat në kontinent nuk janë ndërtuar për t’i përballuar temperatura kaq të larta.

Ghebreyesus paralajmëroi se valët e të nxehtit, të nxitura nga ndryshimet klimatike dhe ngrohja globale, nuk janë më fenomene të rralla.

“Valët e nxehtësisë që ndodhnin një herë në një brez tani po ndodhin pothuajse çdo vit. Ne u paralajmëruam”, shkroi ai.

Kreu i OBSH-së bëri të ditur se organizata po bashkëpunon me shtetet anëtare dhe partnerët e saj për të përballuar kërcënimet shëndetësore që sjell nxehtësia ekstreme, duke u fokusuar në përgatitjen, parandalimin dhe forcimin e reagimit të sistemeve shëndetësore.

Ai u bëri thirrje vendeve evropiane të zbatojnë plane veprimi shëndetësor për përballimin e valëve të të nxehtit, si pjesë e një strategjie më të gjerë për mbrojtjen e shëndetit publik nga pasojat e ndryshimeve klimatike.