'Shqipëria si laborator?'/ Bajaziti: Rama nuk mund të largohet nga përgjegjësia për betonizimin e vendit

Në ditën e 29-të të protestave të pandërprera, ku e ashtuquajtura Gjenerata Z dhe qytetarë të shumtë kërkojnë me ngulm dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama, një tjetër skandal me përmasa të mëdha ka shpërthyer, duke thelluar akuzat për lidhjet mes qeverisë dhe mafias së betonit.

Bëhet fjalë për botimin "The Albanian Files", i cili përmban qindra projekte arkitekturore dhe resorte që po ngrihen në vend. Ky libër është kthyer në qendër të debatit publik, veçanërisht për shkak të parathënies së shkruar nga vetë kreu i qeverisë.

Kryeministri Rama u përpoq të distancohej nga përmbajtja e librit përmes një reagimi, duke e cilësuar valën e kritikave si një "inkuizicion revolucionar" dhe të ngjashëm me Revolucionin Kulturor Kinez. Ai theksoi se libri nuk është i tij dhe se ai thjesht ka kontribuar me një parathënie autoironike.

Erisa Bajaziti, këshilltare strategjike në një universitet në Bruksel, e ftuar në një intervistë në SYRI TV me moderatren Armela Ferko, thekson se justifikimet e Kryeministrit janë skandaloze dhe të pabesueshme.

Analiza e parathënies zbulon një pamje tronditëse: Shqipëria u është prezantuar arkitektëve të huaj si një laborator dhe një platformë eksperimentale, e lirë nga "rehatia mbytëse e rregullimeve". Kjo gjuhë, sipas ekspertëve, konfirmon se vendi po trajtohet si një hapësirë pa ligje dhe pa rregulla zhvillimi.

Sipas Bajazitit, pretendimi i Kryeministrit se nuk ishte në dijeni të përmbajtjes së një libri për të cilin pranoi të shkruante parathënien, shihet si një tentativë e dështuar për t'iu shmangur përgjegjësisë. Pas rreshtave të këtij botimi fshihet një pushtet i padukshëm që nuk jep llogari se kush vendos për këto mega-projekte të betonit, duke ngritur pikëpyetje të forta mbi thellësinë e kapjes së shtetit nga interesat klienteliste.

Bajaziti:

Në fakt Armela ka shumë gjëra për të cilat mund të flasim rreth Kryeministrit.

Por libri 'The Albanian Files' shpalos në të vërtetë atë që Kryeministri është. Unë në fakt këto ditë jam marrë jo vetëm me letrën e hapur që i ka drejtuar arkitekti Kryeministrit Rama, por jam marrë edhe me vetë parathënien që ka shkruar Kryeministri Rama, të cilin ai në kushtet e vetëmbrojtjes mundohet ta justifikojë për publikun. Dhe në fakt jam munduar të analizoj se çfarë përmban kjo parathënie. Ai fillon në fakt me frikën se si arkitektët në fakt janë të ftuar të ndihen të lirë për të bërë projektet e tyre arkitekturore në Shqipëri dhe të jenë të lirë nga rehatia mbytëse e rregullimeve. Do të thotë që ai e paraqet Shqipërinë si një platformë ku në fakt nuk ekzistojnë rregulla. Në këtë libër ku shfaqen 500 e kusur projekte, resorte, dhe projekte, ai në fakt e paraqet në këtë parathënie... e paraqet Shqipërinë si një laborator arkitekture, një shkollë arkitekture. Dhe në fakt të ftuar për të, janë një aventurë, janë një eksperiment i përbashkët në këtë ftesë ndërkombëtare ku ai ka ftuar arkitektë nga e gjithë bota...

Po, në fakt këtu është edhe pika e dobët e kryeministrit kur thotë që unë nuk jam në dijeni të përmbajtjes së librit. Ndërkohë që dikush, kur merr përsipër të shkruajë një parathënie, të paktën minimalisht është e dëshirueshme që ai të jetë në dijeni të përmbajtjes së librit, të stilit, të asaj çka ofrohet në atë libër. Dhe të mos kesh dijeni për atë që je duke shkruar, kjo është në vetvete skandaloze. Por për t'iu rikthyer parathënies së kryeministrit, në fakt çfarë mungon në këtë parathënie, çka hedh poshtë pretendimin e kryeministrit që ai nuk është në dijeni të asaj çfarë shkruhet në libër, ai do të heqi le të themi një lloj përgjegjësie për atë lidhje të natyrshme që ne e bëjmë midis kryeministrit dhe këtij libri. Për shembull, në këtë parathënie, aty ka një pushtet të padukshëm, sepse ne nuk mund të kthejmë përgjigje për pyetjet: për shembull, kush ka vendosur për këto projekte? Kush i ka financuar apo kush i financon këto projekte? Dhe kush përfiton nga këto projekte?

Dhe gjithashtu, në këtë parathënie mungon një sërë problematikash me të cilat kryeministri duke mohuar lidhjen që ka mbi përmbajtjen e librit, janë problematika të cilat janë serioze dhe kanë shkaktuar zemëratë tek qytetarët e Shqipërisë. Sepse mund t'ju përmend disa, siç janë për shembull tensionet për transformimin urban që po përjeton jo vetëm Tirana, por e gjithë Shqipëria. Kemi konfliktet urbane dhe konfliktet për pronën. Janë shembjet e ndërtesave në zona të ndryshme të Tiranës dhe të Shqipërisë, rrëmbimi i pronës. Janë debatet së fundmi të lidhura me trashëgiminë kulturore. Janë gjithashtu pabarazitë padyshim sociale që shpalosen në vend dhe së fundmi janë pikërisht impaktet që këto projekte kanë mbi mjedisin në Shqipëri.

Pra, kryeministri shqiptar kërkon të largojë përgjegjësinë që ka mbi këto projekte. Sepse, me sa dimë unë, kryeministri shqiptar është edhe kryetari i Këshillit Kombëtar për Territorin dhe Ujin, do të thotë që ai padyshim që mban një përgjegjësi për projektet, për çfarëdo lloj plani dhe politikash të rëndësishme që ka në dorë fatin e Shqipërisë dhe planin urbanistik të të gjithë vendit. Kështu që nuk mund të largohet kaq lehtësisht kryeministri nga përgjegjësia, por mbi të gjitha dhe sikur mos ishte kryetari i Këshillit Kombëtar të Territorit, ai mbi të gjitha është kryeministri i Shqipërisë dhe padyshim që mban përgjegjësi për çdo projekt të tillë madhor që ka një impakt të jashtëzakonshëm për qytetarët e Shqipërisë.

Të mos harrojmë që këto 500 projekte, me sa kuptojmë, nuk janë duke u projektuar ose zhvilluar për qytetarin e zakonshëm shqiptar. Mund t'ju kujtoj intervistat e kryeministrit ku ai në fakt, në momentin që i referohet qytetarëve shqiptarë, më shumë u referohet që do të punojnë në këto resorte si kamarierë, por jo që ndonjë shqiptar do të posedojë apo do të mund të përfitojë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga këto projekte. Kështu që edhe në këtë aspekt, kryeministri shqiptar theksin parësor e vë tek arkitektët e huaj, se si ata mund t'i zhvillojnë këto projekte, por jo se si këto projekte do të ndihmonin realisht qytetarin shqiptar të zhvillonte ekonominë e tij dhe një jetë të zhvilluar ekonomike në vend, pa që nevoja që të largohet nga Shqipëria, sepse nuk sheh asnjë lloj perspektive.