Arrestohet në Spanjë bosi i ’Ndranghetës, Domenico Paviglianiti, i kërkuar prej vitit 2022

Reggio Calabria, 28 qershor 2026 – Autoritetet italiane kanë njoftuar arrestimin në Spanjë të Domenico Paviglianiti, i njohur me nofkën “Don Mico”, i konsideruar si një nga drejtuesit kryesorë të klanit mafioz Paviglianiti të organizatës kriminale ’Ndrangheta, që vepron në provincën e Reggio Calabrias dhe ka shtrirje edhe në veri të Italisë si dhe jashtë vendit.

Arrestimi u realizua në kuadër të një hetimi të drejtuar nga Prokuroria e Republikës pranë Gjykatës së Reggio Calabrias – Drejtoria Rajonale Antimafia (DDA) dhe të zhvilluar nga Grupi i Hetimit të Kriminalitetit të Organizuar (G.I.C.O.) i Gardës së Financës së Reggio Calabrias, në bashkëpunim me Policinë Kombëtare të Spanjës.

Paviglianiti ishte në arrati që nga viti 2022, kur Prokuroria e Bolonjës kishte lëshuar një urdhër ekzekutimi për vuajtjen e një dënimi të përgjithshëm prej mbi 19 vjet burg, për vepra penale që përfshijnë pjesëmarrje në organizatë mafioze, vrasje dhe armëmbajtje të paligjshme.

Lokalizimi dhe arrestimi i tij u bënë të mundur falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet autoriteteve italiane dhe spanjolle, në veçanti me njësinë speciale spanjolle UDYCO (Unidad de Droga y Crimen Organizado), e specializuar në luftën kundër trafikut të drogës dhe organizatave kriminale ndërkombëtare.

Vendimtar për operacionin ishte edhe kontributi i njësisë I-CAN (Interpol Cooperation Against ’Ndrangheta), që funksionon pranë Shërbimit për Bashkëpunimin Ndërkombëtar Policor të Drejtorisë Qendrore të Policisë Kriminale në Itali, si dhe i Drejtorisë Qendrore për Shërbimet Antidrogë dhe strukturave qendrore të Gardës së Financës.

Sipas hetuesve, monitorimi i personave të afërt me të arratisurin dhe udhëtimet e tyre të shpeshta nga Italia drejt Spanjës – ku Paviglianiti ishte vendosur që prej viteve ’90 – çuan në një operacion vëzhgimi dhe ndjekjeje, i cili bëri të mundur identifikimin e tij në qytetin Soria, rreth 200 kilometra larg Madridit. Ai u arrestua sapo doli nga një restorant.

Historia kriminale e Domenico Paviglianitit lidhet me të ashtuquajturën Lufta e Dytë e ’Ndranghetës (1985–1991), gjatë së cilës ai kishte një rol të rëndësishëm në mbështetje të klanit De Stefano në konfliktin kundër grupit Condello, një periudhë e karakterizuar nga një numër i madh vrasjesh që ndryshuan ekuilibrat e mafias në provincën e Reggio Calabrias.

Gjatë viteve ai është dënuar disa herë me vendime të formës së prerë për krime të rënda, përfshirë organizatë mafioze, vrasje dhe trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Fillimisht ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm, dënim që më pas u reduktua në 30 vjet burg, ndërsa më vonë mori edhe dënime të tjera për vrasje dhe krime të rënda.

Edhe më parë, në vitet 1996 dhe 2021, pas periudhave të arratisjes, ai ishte lokalizuar dhe arrestuar në Spanjë. Në vitin 2022 ndaj tij u vendos edhe masa parandaluese e mbikëqyrjes speciale me detyrim qëndrimi, e cila nuk u ekzekutua pasi ai ishte zhdukur. Në korrik të po atij viti u lëshua një mandat i ri arresti evropian.

Autoritetet italiane kanë bërë të ditur se në ditët në vijim do të nisin procedurat për ekstradimin e tij nga Spanja në Itali, ku do të vuajë dënimin me burg për të cilin është shpallur fajtor.

Operacioni konsiderohet një tjetër goditje e rëndësishme ndaj strukturave të ’Ndranghetës, falë bashkëpunimit ndërkombëtar mes autoriteteve italiane, spanjolle dhe strukturave të Interpolit./ Alba Kepi/