Rama kërkon ‘të fusë në trastë’ Banjat e Bënjës!

Nga Tritan Shehu 

E dëgjova Ramën duke kërkuar të „fshehë diellin me shoshë“ për të mjegulluar katastrofën, që ky regjim ka krijuar me Banjat e Bënjës.

Banjat e Bënjës pak më parë ishin një monument natyral, mjekimi, rikuperimi, shplodhje për njerëzit, por dhe vlerë kulture, tradite për Përmetin e Shqipërinë.

Ishin për Përmetin një pikë referimi, krenarie edhe zhvillimi ekonomik e turizmi.

U deshën „të shpenzohen“ 2 M E nga ky shtet i papërgjegjshëm për të vënë në jetë moton shkatërruese të këtij regjimi:

Betonizim, edhe të atyre vaskave historike, që mbusheshin me ujë në mënyra të ndryshme, si pasojë e asaj që kishte krijuar Natyra.

Duke shkatërruar atë çfarë ishte mekanizmi i daljes së atij uji termal me temp. 22-30 gradë, i pasur me minerale, veçanërisht squfur.

Të plotësuara ato me një imazh të rrallë, Ura e Kadiut otomane prej guri, më tej Kanioni i Langaricës, me Banjat si vend shplodhjeje e trajtimi.

U deshën 2 M E për të dëmtuar rëndë atë mrekulli, që i kishte rezistuar shekujve.

Për të minimizuar apo bllokuar prurjet ujore për mbushjen e atyre vaskave, duke zëvendësuar mekanizmat e përsosur natyralë me beton asgjësues.

Duke lënë mbrapa dhe një dëmtim ekonomik për Përmetin.

Fatkeqësi kjo.

Injorancë, përzgjedhje e atyre që i “vunë kazmën” jo mbi baza profesionalizmi, pa përgjegjshmëri, korrupsion??

Ndërsa aty duhej ndërhyrë mbi studime të plota hidrogjeologjike, hidrologjike, gjeologjike dhe gjeokimike.

Në këto kushte kërkoj:

1- Ndalimin e të gjitha “punimeve”, që po vazhdojnë të kryhen aty në mënyra empirike, pa një studim hidrogjeologjik transparent.

2- Krijimin e një Komisioni teknik e shkencor, edhe me specialistë të huaj, për analizimin e situatës së krijuar.

3- Përgatitjen e një raporti hidrogjeologjik etj., për përcaktimin e mundësive rikuperuese.

4- Miratimin e një fondi të veçantë financiar për të shpëtuar tashmë atë që mund të shpëtohet, mbi bazën e atij studimi.