‘Rama jepe dorëheqjen’/ Me qindra shqiptarë të diasporës në Parma dalin në protestë

Qindra shqiptarë të diasporës u mblodhën në Parma të Italisë në një protestë solidarizuese me qytetarët që prej 29 ditësh vijojnë protestën përpara Kryeministrisë në Tiranë.

Me flamuj kombëtarë dhe pankarta në duar, pjesëmarrësit shprehën mbështetjen e tyre për kërkesat e protestuesve në Shqipëri, duke theksuar se ndjekin me vëmendje zhvillimet në vend dhe se dëshirojnë të japin kontributin e tyre edhe nga jashtë.

Gjatë tubimit, protestuesit kërkuan dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se protesta në Tiranë duhet të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të saj.

Mobilizimi i diasporës synon të shprehë solidaritet me protestuesit në Shqipëri dhe të tregojë se shqetësimet e ngritura në Tiranë gjejnë jehonë edhe te shqiptarët që jetojnë e punojnë jashtë vendit.