Lamtumirë Botërorit, Nico Williams konfirmon fundin e aventurës pas dëmtimit të rëndë
Spanja do të vazhdojë rrugëtimin në Kupën e Botës 2026 pa një nga lojtarët e saj më të rëndësishëm.
Nico Williams ka konfirmuar se nuk do të zbresë më në fushë në këtë turne, pasi një tjetër dëmtim i ka dhënë fund aventurës së tij me “La Roja”.
Skuadra e Luis de la Fuente siguroi kualifikimin në fazën me eliminim direkt si fituese e Grupit H pas fitores 1-0 ndaj Uruguait, por lajmi i keq ishte dëmtimi i sulmuesit të Athletic Bilbaos.
Williams, i cili kishte pasur probleme fizike edhe para fillimit të Botërorit, publikoi një mesazh emocional në rrjetet sociale ku tregoi vështirësitë e shumta që ka kaluar gjatë periudhës së fundit.
“Është një nga ditët më të këqija të jetës sime. Jam dëmtuar sërish pas një viti shumë të vështirë, por kjo nuk do të më ndalë”, shkroi 23-vjeçari.
Sulmuesi spanjoll tregoi se për një periudhë të gjatë ka luajtur me dhimbje dhe se ka kaluar momente të vështira fizike dhe psikologjike, por falë punës dhe sakrificës arriti të rikthehej në fushë.
Williams u shpreh gjithashtu i zhgënjyer për mënyrën se si erdhi dëmtimi i ri, duke pretenduar se ndërhyrja ndaj tij mund të ishte shmangur.
Edhe pse Spanja nuk ka bërë të ditur zyrtarisht momentin e saktë që shkaktoi dëmtimin, përplasja me Nicolás de la Cruz në fund të ndeshjes ndaj Uruguait ka qenë një nga episodet e diskutuara.
Pavarësisht goditjes së madhe, Nico Williams premtoi rikthim të shpejtë: “Kjo histori nuk ka përfunduar ende. Do të shihemi sërish shumë shpejt”.
Spanja tashmë duhet të vazhdojë garën për trofe pa një nga talentet më të mëdha të brezit të ri.