Histori në Botëror! Dy vëllezër shënojnë për dy kombëtare të ndryshme në të njëjtin turne

Kupa e Botës 2026 ka sjellë një histori të rrallë që do të mbetet gjatë në kujtesën e futbollit.

Vëllezërit Derrick Luckassen dhe Brian Brobbey kanë shkruar emrat e tyre në histori, pasi kanë shënuar gola në të njëjtin Botëror, por duke mbrojtur ngjyra të dy kombëtareve të ndryshme.

Derrick Luckassen, i lindur në Amsterdam në vitin 1995, vendosi të përfaqësojë Ganën në vitin 2026, duke marrë shtetësinë e vendit afrikan dhe duke realizuar ëndrrën për të luajtur në skenën më të madhe të futbollit.

Nga ana tjetër, vëllai i tij më i vogël Brian Brobbey është një nga figurat kryesore të Holandës.

Sulmuesi i Sunderlandit ka qenë vendimtar për skuadrën e Ronald Koeman dhe shënoi tre gola gjatë fazës së grupeve.

Por momenti historik erdhi kur edhe Derrick Luckassen gjeti rrugën e rrjetës.

Mbrojtësi realizoi golin e barazimit të përkohshëm 1-1 ndaj Kroacisë, edhe pse Gana në fund u mposht 2-1.

Edhe pse historia e vëllezërve në Kupën e Botës nuk është e re, kjo është hera e parë që dy vëllezër shënojnë në të njëjtin turne duke luajtur për kombëtare të ndryshme.

Rasti më i famshëm më parë ishte ai i vëllezërve Boateng, ku Jerome luante për Gjermaninë dhe Kevin-Prince për Ganën në Botërorët 2010 dhe 2014.

Në Botërorin 2026 ka edhe histori të tjera familjare, si ajo e vëllezërve Doué dhe vëllezërve Williams.

Futbolli botëror vazhdon të tregojë se pas çdo fanellë kombëtare fshihen histori unike, ndërsa Luckassen dhe Brobbey tashmë kanë hyrë në një kapitull të veçantë të Kupës së Botës.