SYRI TV/ Edicioni i dytë i ekspozitës 'Lin in Aqua', mbi 150 vepra të realizuara nga 64 artistë
Në Pogradec është çelur edicioni i dytë i Ekspozitës Ndërkombëtare të Akuarelit "Lin in Aqua 2", një aktivitet që bashkon artistë nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës. Ekspozita e cila do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 12 korrik, prezanton mbi 150 vepra të realizuara nga 64 artistë, duke sjellë para publikut një larmi teknikash, stilesh dhe interpretimesh artistike të akuarelit.
SYRI TV
Pogradeci është kthyer në një pikëtakim të rëndësishëm të artit ndërkombëtar me çeljen e edicionit të dytë të Ekspozitës Ndërkombëtare të Akuarelit "Lin in Aqua 2", një aktivitet që bashkon artistë nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës.
Sipas organizatorit Armand Xhika, emri "Lin in Aqua" është frymëzuar nga fshati piktoresk i Linit dhe lidhja e tij me ujin, element që përbën edhe thelbin e teknikës së akuarelit.
Edhe bashkëorganizatori Foti Kllogjeri u shpreh se synimi i këtij eventi është të sjellë në Shqipëri përvojën e fituar në aktivitetet më prestigjioze ndërkombëtare të akuarelit.
Piktorja ukrainase Victoria Grigorieva, pjesëmarrëse për herë të parë në Shqipëri, tregoi se pikturat e saj janë të lidhura ngushtë me detin dhe dritën, ndërsa në kushtet e luftës në Ukrainë, arti mbetet mënyra për të gjetur paqe dhe për ta përcjellë atë në telajo.
Ekspozita "Lin in Aqua" prezanton mbi 150 vepra të realizuara nga 64 artistë nga Shqipëria e më shumë se 25 vende, duke sjellë para publikut një larmi teknikash, stilesh dhe interpretimesh artistike të akuarelit. Ajo do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 12 korrik 2026, duke e shndërruar Pogradecin në një qendër të rëndësishme të artit bashkëkohor dhe dialogut kulturor ndërkombëtar.