Formula 1/ Rusell triumfon në Austri, Ferrari zhgënjen me strategjinë
George Rusell zhvilloi një garë perfekte për të fituar Çmimin e Madh të Austrisë në Formula 1, duke i dhuruar Mercedesit një tjetër sukses të rëndësishëm këtë sezon.
Britaniku, i cili e nisi garën nga pole position, ruajti kontrollin nga xhiroja e parë deri në flamurin me kuadrate, pa u vënë asnjëherë seriozisht në vështirësi nga rivalët.
Pas tij u rendit Max Verstapen, i cili zhvilloi një garë të fortë dhe siguroi vendin e dytë, rezultati i tij më i mirë i sezonit. Andrea Kimi Antonelli plotësoi podiumin, ndërsa diferenca mes tre pilotëve të parë ishte më pak se dy sekonda në fund të garës.
Ferrari doli sërish i zhgënjyer nga Austria, pasi strategjia me tre ndalesa në bokse rezultoi e gabuar dhe i nxori Charles Leclerce dhe Luis Hamiltonin jashtë garës për podiumin.
Në fund, Piastri u rendit i katërti, përpara Hamiltonit, ndërsa dhjetëshja e parë u plotësua nga Hadjar, Norris, Leclerce, Lawson dhe Lindblad.
Pavarësisht se nuk fitoi garën, Antonelli vazhdon të kryesojë renditjen e përgjithshme të pilotëve me 171 pikë.
Rusell ngjitet në kuotën e 131 pikëve në vendin e dytë, ndërsa Hamilton mban pozitën e tretë me 125 pikë, duke e mbajtur të hapur luftën për titullin në vazhdim të sezonit.