Zjarr i përmasave të mëdha pranë Parkut Arkeologjik të Bylisit
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë paraditen e kësaj të diele zonën mes fshatit Klos dhe Parkut Arkeologjik të Bylisit, në Bashkinë e Mallakastrës, duke shkaktuar dëme në sipërfaqe me ullinj, shkurre dhe bimësi të egër.
Sipas burimeve nga fshati Hekal, flakët kanë rënë fillimisht pranë rrugës rurale që lidh Hekalin me Klosin, ku është përfshirë nga zjarri një sipërfaqe e mbjellë me ullinj. Më pas, të favorizuara nga era e fortë, flakët janë përhapur me shpejtësi në zona të mbuluara me gjineshtër dhe bimësi të thatë.
Zjarri ka depërtuar edhe në territorin e Parkut Arkeologjik të Bylisit, ku janë djegur shkurre dhe bar i thatë. Fatmirësisht, sipas informacioneve paraprake, monumentet arkeologjike, bazilikat dhe strukturat prej guri nuk kanë pësuar dëmtime.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë forcat zjarrfikëse të Ballshit, një mjet zjarrfikës nga Fieri dhe një tjetër nga Bashkia e Patosit. Në operacion janë angazhuar edhe banorët e fshatrave Klos dhe Hekal, të cilët kanë ndihmuar në përpjekjet për izolimin e flakëve.
Për shkak të përmasave të zjarrit dhe terrenit të vështirë kodrinor, është kërkuar edhe ndërhyrja nga ajri. Një helikopter ka mbërritur në zonë dhe po kryen hedhje uji për të bërë të mundur vënien nën kontroll të flakëve.
Sipas banorëve, por dhe Bashjisë së Mallakastrës, zjarri ka nisur në pjesën lindore të Parkut Arkeologjik të Bylisit, pranë fshatit Klos, dhe më pas është përhapur drejt parkut, i favorizuar nga era e fortë që frynte në zonë.
Autoritetet vijojnë punën për shuarjen e plotë të zjarrit, ndërsa ende nuk dihen shkaqet që kanë shkaktuar rënien e flakëve.