Rama bën hapa pas: Nuk i kam thënë 'F*ck You' shqiptarëve
Kryeministri Edi Rama ka mohuar deklaratën e dhënë për Financial Times, ku u raportua se ai tha se kujtdo që e konsideronte “kumbarin” e Shqipërisë do t’i përgjigjej me fjalët: “Fuck you”.
“Unë nuk ua kam thënë kurrsesi shqiptarëve atë fjalë. Gazetari më ka pyetur se si u përgjigjesh atyre që të akuzojnë se je kumbari i Shqipërisë. I thashë fjalën që meriton kushdo që më akuzon prej vitesh dhe nuk ka lënë dy gurë bashkë për të më baltosur e varrosur. Nga një orë bisedë e lirë, gazetari zgjodhi pikërisht atë pjesë”, shprehet Rama në një video të postuar në rrjetet sociale.
Ndërkohë, në lidhje me protestën, ai u shpreh: Me t’u neutralizuar e keqja e madhe me shumë koka që ka kapur për fyti protestën, do të kthehem drejt masës domethënëse të njerëzve dhe do t’u them se çfarë kam kuptuar nga e gjithë kjo nevojë e tyre për të protestuar dhe si mendoj unë se duhen adresuar ato që, së brendshmi, sinqerisht i thërrasin njerëzit drejt protestës, drejt nevojës për t’u dëgjuar, drejt admirimit për ata që protestojnë në emër të tyre, pikërisht për arsye të kësaj nevoje.”