‘Shqipëria narkoshtet që pastron paratë e pista’, Nesho: Rama ka blerë influencë në burokratët perëndimorë
Protestat e pandërprera popullore në Shqipëri kanë shkaktuar një goditje të rëndë dhe të pakthyeshme në imazhin ndërkombëtar të kryeministrit Edi Rama. Gjatë një interviste në edicionin e lajmeve te mesditës me moderatorin Edvin Parruca, diplomati Agim Nesho ka bërë një analizë të detajuar të zhvillimeve politike ku ka hedhur dritë mbi mënyrën sesi perëndimi po e sheh aktualisht qeverisjen shqiptare, duke theksuar një zhgënjim të thellë në radhët e ndërkombëtarëve.
Gjatë 13 viteve të fundit, në arenën ndërkombëtare ishte ndërtuar një vizion paralel për Shqipërinë. Përmes një propagande të mirëmenduar. Kreu i qeverisë shpesh e portretizonte veten si një lider modern dhe liberal që po e nxirrte vendin nga primitivizmi për ta afruar me Bashkimin Evropian, duke i cilësuar bashkëkombësit si "talebanët e Evropës" që kishin nevojë për drejtimin e tij. Kjo fasadë u mbajt e paprekur për shumë kohë përmes blerjes së influencës në qarqe të caktuara dhe tek burokratët perëndimorë.
Megjithatë, revolta e vazhdueshme e qytetarëve ka ndryshuar tërësisht fushëpamjen e ndërkombëtarëve. Tashmë mediat e huaja dhe institucionet perëndimore po e shohin qartë se problemi thelbësor në Shqipëri është korrupsioni galopant dhe bashkëpunimi me krimin e organizuar. Vendi nuk po shihet më si një shtet liberal që zhvillohet përmes ndërtimeve luksoze, por është etiketuar si një "narkoshtet" dhe si lavatriçja më e madhe e pastrimit të parave në botë, terma që deri pak kohë më parë mbaheshin me rezerva.
Sot, situata paraqitet tërësisht e përmbysur, veçanërisht në raportin me Shtetet e Bashkuara. Imazhi i qeverisë shqiptare në Ëashington përshkruhet si shumë më i zi sesa ai në Bruksel. Kjo ndodh pasi Bashkimi Evropian shihet nga analistët si një palë bashkëfajtore që, për më shumë se një dekadë, zgjodhi të investonte tek individë të caktuar në pushtet dhe jo tek ngritja apo forcimi i institucioneve demokratike të Shqipërisë.
Edvin Parruca: Sa e ka dëmtuar, sipas jush, imazhin e Ramës kjo protestë që vazhdon përditë prej një muaji? Njeriun që deri tani e kishte të padiskutuar këtë narracionin që unë jam lideri modern i këtij vendi dhe po i çoj këta nga primitivizmi drejt Bashkimit Evropian.
Agim Nesho: Sigurisht dua ta filloj analizën nga fjalitë e fundit, që Rama shpeshherë në të gjitha takimet ose diskurset e tij ndërkombëtare ka thënë që "jemi talebanët e Evropës, por jam pikërisht unë i cili po kërkoj që të sjell afrimin e vendit tonë drejt Perëndimit, drejt Bashkimit Evropian," duke relativizuar dhe krijuar një peshë të vendimmarrjes edhe të rolit të tij specifik. Por gjithë kjo gjë, zoti Paruca, është pikërisht që gjatë këtyre 13 vjetëve Rama ka ndërtuar një vizion paralel për botën e jashtme, kur ai është shprehur gjithmonë për iniciativat që kanë ndodhur në Shqipëri në mënyrë pozitive, duke blerë influencë në qarqe të caktuara apo edhe në shtypin ndërkombëtar. Pra, ai është parë si një artist i cili po jep kontributin e tij, një njeri liberal, një njeri që kërkon ndryshimin, një njeri kundër establishmentit të vjetër që për Perëndimin, dalja e Shqipërisë nga një diktaturë e thellë tregonte se e shikonte ndryshimin e strukturave të regjimit si diçka tepër pozitive. Kjo revoltë popullore e pakthyeshme, jo vetëm e ka dëmtuar Ramën, por e ka çuar tashmë drejt një procesi të pakthyeshëm. Ajo që po ndodh në Perëndim është një zhgënjim i madh nga ajo që ka ndodhur në Shqipëri, duke e parë në fillim si një revolucion me ngjyrë, si një revolucion për mbrojtjen e ambientalizmit, dhe më vonë nga pjesëmarrja aktive në rrjetet sociale, por edhe shtypi ndërkombëtar ka treguar që problemi kryesor në Shqipëri është mënyra e qeverisjes së vendit, është korrupsioni galopant, është bashkëpunimi i krimit të organizuar. Dhe në fakt, nuk është një Shqipëri liberale që po ndërton ndërtesa të fuqishme, por është një Shqipëri që i përket një narkoshteti, ku mafia dhe krimi i organizuar bëjnë pastrimin e parasë, duke e kthyer Shqipërinë në lavatriçen më të madhe që mund të ketë sot në botë, dhe kjo është thjesht një diçka që deri tani Perëndimi e ka patur me rezerva dhe nuk e shikonte.
Edvin Parruca: Po, ishin fraza që mezi thuheshin këto. Narkoshteti e të tjera…
Agim Nesho: Pa diskutim. Për dy arsye. E para, Rama gjithmonë ka blerë influencë në burokratët perëndimorë, duke i selektuar ata, ose pranë liderëve të cilët ka bërë çështjen e "yes-man"-it, një njeriu të gjunjëzuar për të marrë kredi politike dhe për të mbajtur regjimin e tij të komprometuar të lidhur me krimin e organizuar. Nga ana tjetër, propaganda e cila në të gjitha masat ka qenë një propagandë tepër aktive. Në shumë raste Rama ka mbyllur ose bllokuar shtypin ndërkombëtar në dy mënyra: Ose duke e subvencionuar për të bërë një reklamë për turizmin shqiptar me nota pozitive, me të cilat shtypi ndërkombëtar është ndjerë i kënaqur, ose nga ana tjetër ka thënë edhe kur ka patur element negativ, që "më mirë mos u merrni me Shqipërinë, për arsye se do të jem unë kontribuuesi". Dhe dihet që në këto kushte që është edhe shtypi ndërkombëtar, në shumë raste ne kemi parë sesi Rama edhe kur është kryqëzuar nga "Bild" ose nga gazeta tepër të rëndësishme, gjithmonë ka gjetur një mënyrë kompromisi edhe pragmatizmi për t'i thënë në gjuhën diplomatike sesi mund të rregullohet për të ruajtur imazhin e tij. Por tashmë siç e thamë dhe në fillim, gjërat kanë ndryshuar komplet. Imazhi që po shikohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është akoma më i zi se ai që shikohet në Bruksel. Pse e them këtë? Për arsye sepse Brukseli në një farë mënyre është bashkëfajtor (fait accompli), duke e lejuar për 13 vjet, duke investuar në individë të caktuar dhe jo në institucionet e Shqipërisë…