Kaluan natën para Kryeministrisë, largohen me forcë protestuesit, policët bëhen ‘gardh’ para zyrës së Ramës

Policia ka larguar me forcë qytetarët që kanë kaluar mbrëmjen para Kryeministrisë, gjë që ndodh prej një jave tashmë.

Më pas është kryer mbledhja e këpucëve të lënë në shkallët e Kryeministrisë, si simbol i largimit të të rinjve jashtë vendit, në mungesë të shpresës për një jetë më të mirë në vendin e tyre.

Kjo ka shkaktuar reagim nga ana e qytetarëve, ku në një moment ka pasur “përplasje” mes një protestuesje dhe efektivëve, të cilët ishin bërë gardh para godinës.

“Mos i prekni këpucët, kjo është vjedhje e vullnetit popullor Mos i ngacmoni veprat artistike të vendosura nga popull. Ky është territor publik”, dëgjohet të artikulojë një protestues në megafon.

Sot do të mbahet protesta e 29-të kundër qeverisë, ku kërkesa kryesore e protestës mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Organizatorët kanë deklaruar se protestat do të vazhdojnë deri në përmbushjen e kësaj kërkese, duke ftuar qytetarët të marrin pjesë masivisht në atë që cilësohet si protesta e 29-të radhazi.