Tiranë/ Mbajtën peng klienten brenda dyqanit dhe e dhunuan. Në pranga dy pronarët e subjektit

Dy raste të veçanta janë goditur nga Policia e Shtetit në Tiranë, ku janë vënë në pranga tre shtetas për vepra të ndryshme penale, përfshirë kanosje, dhunë ndaj klientes dhe kundërshtim të punonjësve të policisë, si dhe përvetësim të simboleve dhe dokumenteve të dyshuara policore.

Në rastin e parë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan shtetasit Sefedin Ahmetaj, 63 vjeç, dhe Edjola Harunaj, 41 vjeçe, pronarë të një dyqani elektroshtëpiakesh në zonën e Ish-Doganës.

Sipas të dhënave, gjatë një konflikti për motive të dobëta me një kliente, ata e kanë kanosur, e kanë mbajtur kundër dëshirës në ambientet e subjektit dhe kanë ushtruar dhunë fizike ndaj saj.

Gjatë ndërhyrjes së policisë, të dy shtetasit kanë kundërshtuar me forcë punonjësit e rendit, ndërsa shtetasja Edjola Harunaj ka goditur një efektiv policie, duke i shkaktuar dëmtime të lehta.

Në rastin e dytë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 kanë arrestuar një 22-vjeçar, i cili gjatë ndalimit të automjetit është prezantuar si punonjës policie me një dokument të dyshuar të falsifikuar.

Gjatë kontrollit në banesën e tij janë gjetur municion luftarak, një sasi parash dhe sende me simbolet e Policisë së Shtetit, përfshirë medalione me mbishkrimin “Albanian State Police”.

Materialet procedurale janë referuar në Prokurori për vijimin e veprimeve ligjore.