Kuvajti dënon ‘agresionin iranian’
Ministria e Punëve të Jashtme e Kuvajtit ka dënuar atë që e quajti "agresione të përsëritura të rënda iraniane" kundër vendit, duke i cilësuar sulmet si "shkelje flagrante të sovranitetit të tij".
Në një deklaratë, ministria tha se sulmet përbëjnë "një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe stabilitetin e vendit, si dhe për sigurinë e qytetarëve dhe banorëve në territorin e tij, duke përbërë një shkelje të qartë të rregullave të së drejtës ndërkombëtare".
Ajo paralajmëroi se "agresionet e vazhdueshme dhe të hapura" të Iranit po minojnë përpjekjet rajonale dhe ndërkombëtare për uljen e tensioneve në rajon.
"Ministria rithekson se Shteti i Kuvajtit rezervon të drejtën e plotë për të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur sovranitetin, ruajtur sigurinë dhe stabilitetin e tij, si dhe për të mbrojtur popullin dhe banorët në territorin e vet", thuhet më tej në deklaratë.
Ndërkaq, ushtria e Kuvajtit njoftoi se ka interceptuar dy raketa balistike gjatë mëngjesit. Sipas autoriteteve, nuk ka pasur të lënduar dhe as dëme materiale.
Siç është raportuar, Irani ka ndërmarrë sulme me dronë dhe raketa ndaj objekteve ushtarake amerikane në Kuvajt, pasi Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se kishte kryer sulme ndaj 10 objektivave iraniane në disa lokacione, duke thënë se ato ishin përgjigje ndaj sulmeve iraniane kundër anijeve në Ngushticën e Hormuzit.