SHBA - Iran, sulme të reja dhe akuza reciproke për shkelje të marrëveshjes së paqes

Shtetet e Bashkuara kanë kryer sulme të reja ndaj Iranit, pas një sulmi me dron ndaj një anijeje me flamur panamez në Ngushticën e Hormuzit të shtunën.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se goditi disa objektiva në të gjithë Iranin, si përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj asaj që e cilësoi si 'agresion i vazhdueshëm' kundër transportit detar tregtar.

Në kundërpërgjigje, Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) deklaruan se kanë lëshuar raketa dhe dronë ndaj infrastrukturës amerikane në Kuvajt dhe Bahrein, sipas një deklarate të shpërndarë nga mediat shtetërore.

Pas shkëmbimit të sulmeve, SHBA-ja dhe Irani akuzuan njëri-tjetrin për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit.

CENTCOM tha në një deklaratë: 'Iranit iu dha mundësia të respektonte marrëveshjen e armëpushimit, por zgjodhi të mos e bënte këtë kur forcat e tij lëshuan një dron vetëshkatërrues që goditi MT Kiku', një cisternë nafte me flamur panamez.

Si përgjigje, sipas CENTCOM-it, avionët luftarakë amerikanë kryen sulme ndaj 10 objektivave ushtarake iraniane në disa zona brenda dhe pranë Ngushticës së Hormuzit. Mes objektivave të goditura ishin pajisje ushtarake, sisteme komunikimi, pozicione të mbrojtjes ajrore dhe depo për ruajtjen e dronëve.

Në deklaratën e IRGC-së thuhet se SHBA-ja kishte sulmuar pesë pozicione bregdetare në Iran, nën atë që e quajti 'pretekstin e përballjes së Marinës së IRGC-së me anijen shkelëse'.

Në kundërpërgjigje, IRGC deklaroi se kishte lëshuar raketa balistike dhe dronë ndaj 'tetë objekteve kyçe të infrastrukturës' në bazën Ali al-Salem në Kuvajt dhe ndaj Flotës së Pestë Detare në Port Salman të Bahreinit, duke pretenduar se i kishte 'shkatërruar' ato.

Një zyrtar amerikan i tha Reuters se nuk ka pasur raportime për viktima amerikane apo dëme të konsiderueshme në objektet e SHBA-së në Lindjen e Mesme.

IRGC deklaroi se, në bazë të Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar më herët gjatë këtij muaji, Irani ka marrëveshje për kontrollin e kalimit dhe lundrimit në Ngushticën e Hormuzit dhe se, nga tani e tutje, anijet që shkelin rregullat do të përballen me masa më të ashpra se në të kaluarën.

'Çdo agresion i mundshëm i armikut, nën çfarëdo preteksti, edhe nëse synon objektiva të vogla, siç ndodhi mbrëmë dhe sonte, do të marrë një përgjigje shkatërruese', thuhet në deklaratë.

IRGC akuzoi gjithashtu SHBA-në për shkelje të armëpushimit të rënë dakord në memorandumin e mirëkuptimit mes dy vendeve, duke paralajmëruar se kjo 'do të çojë në ndërprerjen e plotë të procesit'.

Edhe Ministria e Jashtme iraniane dënoi ato që i quajti 'sulme brutale', duke i cilësuar si shkelje të armëpushimit dhe duke shtuar se ato tregojnë se SHBA-ja 'nuk i jep as vlerën dhe besueshmërinë më të vogël angazhimeve të saj dhe se thyerja e premtimeve është pjesë e natyrës së saj'.

Pak pasi u njoftuan sulmet e fundit amerikane ndaj Iranit, Donald Trump deklaroi në Truth Social se ishte 'shumë e mundshme' që Teherani 'të mos nxjerrë kurrë mësim'.

'Mund të vijë një moment kur ne nuk do të jemi më në gjendje të tregojmë përmbajtje dhe do të detyrohemi ta përfundojmë ushtarakisht atë që e nisëm me shumë sukses', shkroi ai të shtunën në mbrëmje.

Më tej, Trump paralajmëroi: 'Nëse kjo ndodh, Republika Islamike e Iranit nuk do të ekzistojë më!'

Në orët pas sulmeve amerikane, si Kuvajti ashtu edhe Bahreini njoftuan se kishin aktivizuar sistemet e tyre të mbrojtjes ajrore.

'Mbrojtja ajrore e Kuvajtit po përballet aktualisht me sulme armiqësore me raketa dhe dronë', deklaruan Forcat e Armatosura të Kuvajtit në një njoftim të publikuar në platformën X, duke u bërë thirrje qytetarëve të respektojnë udhëzimet e sigurisë.

Ministria e Brendshme e Bahreinit u kërkoi qytetarëve të 'ruajnë qetësinë dhe të drejtohen në vendin më të afërt të sigurt'.

CENTCOM deklaroi se anijet tregtare vazhdojnë të operojnë në Ngushticën e Hormuzit.

Sulmet e fundit vijnë më pak se një ditë pasi SHBA-ja ndërmori sulme hakmarrëse ndaj Iranit, të cilat tha se ishin përgjigje ndaj një sulmi me dron ndaj anijes së mallrave MV Ever Lovely, me flamur të Singaporit, më 25 qershor.

CENTCOM i përshkroi goditjet amerikane si 'një përgjigje të fuqishme' ndaj sulmit mbi anijen tregtare, duke shtuar se 'agresioni i pajustifikuar i forcave iraniane ndaj transportit tregtar përbënte qartësisht shkelje të armëpushimit'.

Teherani deklaroi se anija e mallrave ishte sulmuar sepse po përdorte një rrugë të paautorizuar për të kaluar nëpër këtë korridor detar të Gjirit dhe se sulmet hakmarrëse amerikane përbënin shkelje të armëpushimit nga ana e SHBA-së.

Në një deklaratë të publikuar të shtunën në mëngjes, Ministria e Jashtme e Iranit tha se kishte kryer sulme të tjera ndaj objektivave të lidhura me forcat amerikane si kundërpërgjigje, duke fajësuar për situatën 'regjimin amerikan që shkel marrëveshjet'.

SHBA-ja dhe Irani ranë dakord më 17 qershor për t'i dhënë fund armiqësive përmes një memorandumi mirëkuptimi me 14 pika, i cili parashikonte gjithashtu që Irani të përdorte 'përpjekjet më të mira' për të garantuar kalimin e sigurt të anijeve tregtare pa tarifa për 60 ditë.

Ngushtica e Hormuzit është një korridor jetik për transportin e naftës dhe gazit dhe u mbyll praktikisht nga Teherani pasi SHBA-ja dhe Izraeli ndërmorën sulme ndaj Iranit në fund të shkurtit.

Mbyllja e kësaj rruge strategjike shkaktoi rritje të menjëhershme të çmimeve globale të naftës dhe pengoi transportin e mallrave të tjera të rëndësishme, si plehrat kimike.

Ditët e fundit, Trump dhe zyrtarë të tjerë amerikanë kanë këmbëngulur se negociatat me Iranin po ecnin mirë, duke thënë se Teherani kishte hequr dorë nga çdo ide për vendosjen e tarifave ndaj anijeve që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Në një postim në Truth Social të mërkurën, Trump tha se Irani kishte informuar SHBA-në se nuk do të kishte 'as tarifa kalimi, as kosto sigurimi dhe asnjë tarifë tjetër të çfarëdo lloji'.

'Nëse ky informacion rezulton i rremë, negociatat do të ndërpriten menjëherë', shtoi ai.

Të martën, zyrtarë iranianë dhe omanë zhvilluan bisedime në Muskat, kryeqytetin e Omanit, për të diskutuar 'menaxhimin e ardhshëm të lundrimit', megjithëse ministri i Jashtëm i Omanit, Badr Al-Busaidi, tha se të dy vendet mbeten të përkushtuara ndaj 'kalimit të sigurt pa tarifa'.

Megjithatë, kryenegociatori iranian, Mohammed Bagher Ghalibaf, deklaroi për mediat pranë shtetit se 'të gjithë duhet ta dinë se administrimi i Ngushticës së Hormuzit nu do të kthehet kurrë më në mënyrën si ishte para luftës'. /BBC/